PDK e bindur për fitoren e Shaqir Totajt në Prizren më 22 tetor

PDK e bindur për fitoren e Shaqir Totajt në Prizren më 22 tetor

16 tetor 2017 20:30

Vrrini gjithmonë ka ditur të triumfojë dhe sot ka dëshmuar mbështetjen e tij të fuqishme për Shaqir Totajn dhe kandidatët për asamblenë komunale nga radhët e PDK-së, e cila pa dyshim se do të dalë fituese në zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Kështu është thënë sonte në tubimin përmbyllës zgjedhor të kandidatit për kryetar të Prizrenit nga PDK-ja, Shaqir Totaj, me nëndegët e Vrrinit të komunës së Prizrenit, me ç’rast u prezantuan edhe kandidatët për asamblenë komunale nga radhët e kësaj partie nga këto anë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi, ka shprehur besimin se Shaqir Totaj do të jetë kryetari më i suksesshëm i Prizrenit dhe i bëri thirrje elektoratit që të votojë PDK-në, në mënyrë që kandidati i saj për kryetar komune të fitojë qysh në rundin e parë.

“Me gjasë 41 vende që ka kuvendi komunal i Prizrenit do të jenë të gjitha këto të PDK-së dhe nuk do të ketë vend për partitë tjera, prandaj ju përgëzoj dhe uroj për fitore dhe ky angazhim të vazhdojë edhe më fuqishëm në këto pesë ditët e fundit dhe të jetë angazhim i yni maksimal”, ka thënë Gashi, shkruan KP.

Ai ka falënderuar kryetarin Ramadan Muja për rregullimin e infrastrukturës së fshatrave të rajonit të Vrrinit, ndërsa i ka bërë thirrje elektoratit që të mos votojë për kandidatët tjerë, pasi ata nuk punojnë për të mirën e qytetarëve.

“Gjithashtu më 22 tetor mos lejoni Prizrenin ta udhëheqë ndonjë kandidat tjetër, i cili nuk jeton në qytetin e Prizrenit, as nuk ka jetuar, as nuk ka punuar dhe në Prizren ka qenë vetëm turist, i cili e ka vizituar të dielave ashtu siç e vizitojnë edhe shumë qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga PDK-ja, Shaqir Totaj, ka thënë se kjo parti është forca e ndryshimit dhe është përballur me sukses me sfidat e kohës, pasi që di të menaxhojë në mënyrën më të mirë të mundshme me komunën e Prizrenit.

“PDK duke qenë në gjendje të ndryshojë këtë gjendje, PDK ka qenë në gjendje të ndryshojë realitetin dhe sot garon për herë të parë me një numër të madh të kandidatëve që garojnë për herë të parë, si për asamble, ashtu edhe për kryetar të komunave që është dëshmi se PDK është e aftë, ka vizion, ka guxim, është transparente dhe nuk heziton të rekrutojë njerëz të ri për të përforcuar ekipin fitues që ka fituar tri palë zgjedhje dhe tash e kemi radhën për herën e katërt, sepse ne e kemi përnjëmend”, ka thënë Totaj.

Ai tha se prioritetet e tij për qeverisjen e ardhshme katërvjeçare janë zhvillimi ekonomik, projektet për zhvillimin e rinisë, kulturës, arsimi, shëndetësia, zhvillimi i bujqësisë, turizmit dhe sferat tjera me rëndësi për komunën e Prizrenit. Ndërsa kërkoi të ketë dalje masovike më 22 tetor dhe të votohet për PDK-në.

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se mbështetja e Vrrinit për PDK-në është shenjë e fitores më 22 tetor dhe se me këtë do të ndryshojë jo vetëm Prizreni, por edhe e tërë Kosova.

“Kjo gjeneratë e njerëzve të Vrrinit dhe kjo gjeneratë e njerëzve të Kosovës ka arritur që jo vetëm ta ndryshojë jo vetëm historinë e Kosovës, por ka arritur ta ndryshojë edhe historinë e botës, pasi pas luftës në Kosovë në vitin ‘99, bota nuk ka qenë ajo që ka qenë. Kështu që respekti më i madh është për veteranët e luftës, dëshmorët e luftës, ata që kanë lënë pjesët e trupit nëpër malet e Vrrinit e të Kosovës, që ne sot të kemi zgjedhje të lira”, ka thënë Hoxhaj.

Numri dy i PDK-së përmendi disa projekte të mëdha që ata i kanë kryer siç është autostrada Prishtinë-Vërmicë, hapja e Universitetit te Prizrenit, ngritja e pagave të mësimdhënësve, të cilat sipas tij tregojnë se PDK është forcë e ndryshimit.

Hoxhaj kërkoi përkrahjen për Shaqir Totajn, pasi projektet e tij janë të mundshme derisa të tjerët mund të kryejnë zero punë. Më tutje Hoxhaj shtoi se Shaqir Totaj me ekipin e tij do ta bëjë Prizrenin kryeqytet të zhvillimit ekonomik.

Ai ka kërkuar nga qytetarët e Vrrinit që në këto katër ditët e ardhshme të mos ndalen që ta kenë Shaqir Totajn kryetar për katër vitet e ardhshme.

kryetari aktual i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka bërë thirrje që më 22 tetor të votohet për PDK-në, pasi që kjo parti ka bërë ndryshime të mëdha pozitive në këtë komunë. Ai u shpreh i bindur se PDK do të shënojë fitore të bindshme në rundin e parë, duke thënë se ofron listën më të mirë për asamblenë komunale dhe kandidatin më të mirë për kryetar Shaqir Totaj.

Kandidatja për asamble komunale nga PDK-ja, Antigona Bytyqi, tha se rajoni i Vrrinit gjithmonë ka ditur të triumfojë dhe sot ka dëshmuar mbështetjen e saj të fuqishme për Shaqir Totajn dhe kandidatët për asamblenë komunale nga radhët e PDK-së.

Ndërsa, kandidatja tjetër për asamble komunale, Frederika Morina, ka thënë se mbështetja e elektoratit do të jetë motiv shtesë që të punojë për të mirën e qytetarëve, fuqizimin e të rinjve dhe rolit të gruas në vendimmarrje dhe përfaqësimin e tyre në organet lokale.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme