VV: Vota për Zekë Sinanajn e zhvillon Deçanin

VV: Vota për Zekë Sinanajn e zhvillon Deçanin

16 tetor 2017 20:24

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Deçani ka vendosur me mendje dhe me zemër për Zekë Sinanajn kryetar.

Kjo, sipas VV-së, u manifestua me përkrahje të fuqishme edhe gjatë tubimit zgjedhor të ditës së sotme në këtë komunë, ku ishin edhe kryetari Visar Ymeri, nënkryetarja e deputetja Fatmire Kollçaku dhe deputetët Albin Kurti e Dardan Molliqaj, të cilët ftuan deçanasit për mobilizim sa më të madh me 22 tetor për mbështetjen e kandidatëve nga Lëvizja Vetëvendosje.

Fjalën hapëse në këtë tubim e mbajti deputeti Dardan Molliqaj, i cili tha qysh në fillim se Deçanit i është pamundësuar zhvillimi për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm. Ai përmendi Zonën e Veçantë përreth Manastirit të Deçanit, për të cilën akuzoi pushtetarët, duke thënë se “ajo ka qenë pengesë për zhvillimin e turizmit dhe ka ndikuar që të rritet papunësia”.

Molliqaj ka kritikuar në veçanti kryeministrin Ramush Haradinajn dhe partinë e tij, për të cilin tha se edhe kandidatin për kryetar të Deçanit nga AAK, e ka imponuar dhe emëruar pa dëshirën e partisë së tij në këtë komunë.

“Vota për Bashkimin është votë për stagnimin, e vota për Zekë Sinanajn është votë për përparimin. Vota për partitë tjera është votë për krim e korrupsion, vota për Vetëvendosjen është votë për zhvillim, drejtësi e mirëqenie”, ka thënë Molliqaj në këtë tubim zgjedhor.

Nënkryetarja dhe deputetja Fatmire Kollçaku ka thënë gjatë këtij tubimi se koha e bastioneve ka përfunduar dhe se ndryshimi është shumë afër. Ajo shtoi po ashtu se “Vetëvendosje sot është partia më e madhe në vend dhe zëri më i fuqishëm i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”.

“Sot ka shpresë. Sot shpresa është Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidatët e saj për Kuvendin Komunal. Sot shpresa është kandidati për kryetar të Deçanit, zoti Zekë Sinanaj. Me 22 tetor votoni për të ardhmen tuaj”, ishte porosia e Kollçakut në Deçan.

Ndërkaq, kryetari Visar Ymeri tha se Deçani ka pasur gjithnjë popullsi me vullnet, dije e përkushtim, por qeverisja e tij ka qenë gjithmonë e përbërë nga njerëz që iu ka munguar vullneti, dija e përkushtimi. Ai tha se Deçani njihet për bukuri të shumta natyrore, të cilat në vazhdimësi po i nënshtrohen rrezikut për shkak të interesave të ngushta të pushtetarëve.

“Pavarësisht gjitha bukurive natyrore që i rrethojnë fshatrat e Deçanit, asnjë nga 37 fshatrat e kësaj komune nuk ka plan rregullativ. Pra, sot, edhe pas 17 viteve, 40 mijë banorët e kësaj komune, ende presin që gjëja më elementare që lidhet me lëvizjen e lirë dhe me mundësinë e shfrytëzimit të hapësirës, të zgjidhet përmes një plani racional në infrastrukturë, gjë që nuk u bë asnjëherë, nga asnjë pushtet lokal, këtu në Deçan”, tha pos tjerash Ymeri.

Më tej, deputeti Albin Kurti e filloi fjalën e tij duke folur mbi kontributin e kësaj komune ndër vite për shtetin dhe për gjendjen e rëndë që mbretëron në të. Ndërsa, për kandidatin Zekë Sinanaj, tha se është i bindur se e presin shumë sfida, por ai tha se qytetarët janë të bindur se ai do të dalë fitues në këto zgjedhje.

“Komunarët e deritashëm kanë ngrënë në emër të popullit, e nuk kanë folur në emër të popullit. Kryetari i ri Zekë Sinanaj, drejtorët e tij dhe asambleistët e Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Deçanit, nuk do të hanë në emër të popullit, por do të flasin në emër të popullit. Nga kryetari i ri Zekë Sinanaj mund të prisni shumëçka, për të mos thënë gjithçka, kurse nga kryeministri i ri mund të prisni pakçka, për të mos thënë asgjë”, ka thënë ndër të tjera Kurti, i cili po ashtu ka ironizuar me kryeministrin Haradinajn, duke e krahasuar me një fëmijë që merr biçikletën hua për të bërë dy-tre xhiro.

Pas Kurtit, fjalë mbajti kandidati për kryetar, Zekë Sinanaj, i cili tha se i është futur kësaj gare me qëllimin që të iu shërbejë qytetarëve të Deçanit dhe përfundimisht ta ndalojë korrupsionin, nepotizmin e keqmenaxhimin. Ai tha se sot të gjithë janë në dijeni për gjendjen e rëndë në Deçan dhe flasin për të, por shtoi se është koha që të ndërrohet qeverisja, e bashkë më të, edhe kjo gjendje.

“Do të angazhohemi që të ofrojmë shërbime stomatologjike dhe laboratorë në fshatrat Strellc, Irzniq e Isniq dhe funksionalizim të Qendrave të Mjeksisë Familjare në fshatrat Prejlep, Pobergjë, Gramaqel, Lumbardh, Prapaqan e Maznik. Me programin tonë mjeku përfundimisht do të ndihet i dinjitetshëm”, tha Sinanaj.

“Përveç kësaj do të ndërtojmë katër çerdhe të reja publike në Komunën e Deçanit, në funksion të rritjes dhe edukimit me të shëndetshëm për fëmijët tanë. Pallati i Kulturës ‘JusufGervalla’ do të jetë funksional dhe në shërbim të kulturës e rinisë. Aktualisht pjesa me e madhe e këtij objekti është e ngulfatur nga bizneset private, të afërta me partinë në pushtet. Pas 22 tetorit këto hapësira do t’iu kthehen aktiviteteve kulturore. Zotohemi se do ta shtrijmë rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza për fshatrat Strellc, Lebushë, Isniq, Prapaqan, Dubovik, Papiq e Berliq, dhe ndriçimin publik për të gjitha fshatrat e Komunës së Deçanit”, ishin disa nga zotimet e tjera të tij.

Sinanaj shpalosi edhe zotime të tjera nga plani i tij për Deçanin, si dhe prezantoi kandidatët për Kuvendin Komunal të kësaj komune. Më këtë rast, ai dha se kjo listë bashkon djemtë dhe vajzat më të mira të Deçanit si dhe u zotua se gjithë përvojën e tij do ta këtë në shërbim të qytetarëve të bashkëqytetarëve të tij.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme