Haradinaj: Sportistët do të trajtohen dinjitetshëm

Haradinaj: Sportistët do të trajtohen dinjitetshëm

16 tetor 2017 19:11

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu sonte mbajti tubim me Klubin e Sportistëve, ku prezent ishte edhe kryetari i kësaj partie, njëherësh kryeministër, Ramush Haradinaj.

Haradinaj tha se krahas karrierës në jetë, sportistët janë më të pasurit në botë për dy arsye: kanë shëndet dhe shpirt. Ai tha se e kupton gjendjen aktuale dhe vështirësitë me të cilat përballen sportistët kosovarë, mirëpo premtoi se do të bëhen shumë punë të mira për sportin në qeverisjen e tij.

Ai shprehu interesim përse nuk po gjen zbatim Ligji për sponsorizim.

“Projektet infrastrukturore që kanë të bëjnë me hapësirat sportive, veç kemi filluar t’i trajtojmë por s’po i përmendi cilat, sepse karakteri i takimit është tjetër. Unë dua të them për sportistët e Prishtinës, Kosovës, faleminderit për gjithçka, në kohë lufte me disa prej jush kemi qenë edhe kolegë lirie, në kohën e ndërtimit të jetës tonë jemi aktivë”, tha Haradinaj, raporton KP.

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu tha se me qeverisjen e AAK-së në kryeqytet, Prishtina do të jetë qytet i sportit dhe qytet i të rinjve.

“Ne këtu kemi ardhur për me ju thënë se Prishtina ka nevojë shumë më shumë se sa që ka sot në sport, për me ju mbështes juve jo vetëm emrat e mëdhenj, por edhe fëmijët dhe të rinjtë e Prishtinës, të cilët nuk kanë as terrene sportive, as vende ku duhet të bëjnë rekreacionin. Prandaj, po ju themi se në si AAK kemi ardhur me ju thënë thjesht, Prishtina do të jetë qytet i sportit, qytet i të rinjve”, deklaroi Vllahiu.

Ndërsa, Kushtrim Mushica sportist, i cili është në listën për kandidat për Asamble, tha se qëllimi i tij është që të rinjtë të nxiten për t’u marr me sport dhe sportistëve t’ju krijohen kushte optimale.

“Unë këtë rrugëtim e kam gjetur me mirëkuptim te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ngase këtu është një frymë dhe mendojmë që të rinjtë të merren sa më shumë sport, sepse promovimi më i mirë i një vendi janë sportistët. Jo rastësisht na thërrasin edhe ambasador, nuk gabojnë që na thërrasin ambasador, por nuk na kanë trajtuar si ambasador deri sot”, tha Mushica.

Në këtë tubim elektoral morën pjesë edhe shumë sportistë nga Prishtina.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme