Veseli: Vushtrria është shembull i qeverisjes së mirë të PDK-së

Veseli: Vushtrria është shembull i qeverisjes së mirë të PDK-së

16 tetor 2017 18:18

Me anë të një dokumentari që pasqyron punën 10 vjeçare të kryetarit të Vushtrrisë nga radhët e PDK-së, Bajram Mulaku, ka filluar tubimi elektoral i kësaj partie në këtë qytet, ku kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se janë krenar që për 10 vite kanë bashkërrugëtuar, ku PDK ka qeverisur një nga qytetet më të vjetra të Kosovës dhe një nga qytetet më të civilizuara.

“PDK do të fitojë fuqishëm në nivelin nacional dhe do të marrë shumicën e komunave, dhe do të fitojë fuqishëm në Vushtrri. Vushtrria është shembull i fuqishëm i qeverisjes së mirë të PDK-së. Qeverisjen e mirë të Vushtrrisë nga Bajram Mulaku, do ta vazhdojmë me Ferit Idrizin”, tha Veseli.

Kurse, kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga PDK, Ferit Idrizi, në fjalimin e tij tha se ka përkrah qytetarët e Vushtrrisë, veteranët dhe invalidët e luftës, mësuesit e Vushtrrisë, intelektualët, shoqërinë civile me të cilët u konsultua për programin e tij qeverisës. Ndërsa pohoi se “Kam përkrah bujqit dhe e di se cilat janë problemet e qytetarëve të Vushtrrisë”.

Ai ka falënderuar kryetarin aktual të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, për të cilin tha se ka qeverisur së bashku me qytetarët.

“Është momenti për ndryshim dhe se ai është forca e ndryshimit. Ne kemi një plan shumë të mirë për katër vitet e ardhshme, plan i cili hap rrugën për investime, siç është parku i biznesit. Objektiv tjetër është ndërmarrësia, do t’i lidhim shkollat drejtpërdrejt me bizneset. Kjo qasje shumë pozitive do t’i hap perspektiven rinisë së Vushtrrisë”, tha Idirzi, raporton KosovaPress.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme