Zgjedhjet lokale

Veseli: Shpendi s’bëri gjë për Prishtinën, asaj i duhet Lirak Çelaj

​Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kritikuar ashpër qeveritë e mëhershme si të Isa Mustafës dhe atë të Shpend Ahmetit, për të cilin tha se i ka ndihmuar të fitojë duke besuar në ndryshim, derisa shtoi se Lirak Çelaj mund të sjellë ndryshimin e qeverisjes në Prishtinë.

Veseli në një tubim zgjedhor me degët e PDK-së në Prishtinë tha se si Mustafa, ashtu edhe Shpend Ahmeti kanë menduar më shumë se si të bëhen kryeministra sesa t’iu shërbejnë qytetarëve të kryeqytetit të vendit.

Ai ka folur edhe për qeverisjen aktuale të kryeqytetit, e cila sipas tij është fokusuar në ofrimin e shujtave që nuk dihet se çfarë kualiteti kanë për nxënësit e shkollave fillore, përderisa ka harruar gjithë sferat e tjera që atakojnë jetën e qytetarëve.

“Si mund të krenohet një kryetar i cili asnjë shkollë nuk e ka ndërtuar gjatë mandatit të vet. Nuk është sot koha e viteve 60-70 dhe të krenohen duke dhënë kifle, e ta bëjnë atë si identitet që ta bartin krejt në gjithë Republikën e Kosovës, nuk jemi në kohën e Mao Ce dunit. Pastaj janë edhe shumë elemente higjienike të cilat lidhen me kualitetin e atij ushqimi. Unë si prind do të isha i frikësuar t’i jepja kifle të cilat nuk e di çfarë kualiteti kanë, sa e kanë qëndrueshmërinë dhe në të njëjtën kohe të ndërlidhura me ato biznese, na shajnë për ato biznese e financohen përmes shantazhit”, tha ai.

Veseli premtoi se me qeverisjen e Prishtinës nga kandidati i PDK-së, Lirak Çelaj, kryeqytetasit nuk do të kenë probleme elementare, përkundrazi, zhvillimi i këtij rajoni, në mënyrë që Prishtina të merr rolin e vet zhvillues në Republikën e Kosovës.

“Prishtina ka nevojë të ketë një zhvillim i cili është shumë më ndryshe se ky aktual. Ka nevojë për modesti, ka nevojë për përgjegjësi të një kryetari në mënyrë që kjo kryeqendër e Republikës të Kosovës të jetë një metropol i vërtet, ku zhvillimi zë vendin e stagnimit, ku i hapet perspektivë veçanërisht ndërmarrësve... Prishtina mund të ecë shumë përpara, keni parasysh, ndryshimet të cilat kanë ndodhur në kryeqendrën tonë janë nga ndërmarrësia, iniciativa private e biznesit. Edhe ata në të njëjtën kohë janë të atakuar, janë të shantazhuar... Kjo është ajo çfarë duhet të ndërrohet në Komunën e Prishtinës, kjo është ajo që do ta bëjë kryetari ynë Lirak Çelaj”, theksoi Veseli.

Anëtari i PDK-së, Blerand Stavileci, e ka vlerësuar kandidatin Lirak Çelaj si kryetarin më të denjë për Prishtinën, i cili do të sjellë ndryshimin në kryeqytet.

“E kanë bërë kryeqytetin që në vend se të duket më i miri në rajon, të ketë ngecje të shumta. Sot besoj se do ta keni në rrjetet sociale, një shok të kryetarit në ikje të Prishtinës, i cili thotë se një kryetarë kur e ka listën e arsyetimeve për punët e mosbëra më të madhe se për punët e bëra, atij njeriu nuk duhet t’i thuash asnjë më shumë se dembel, demagog dhe hipokrit”, tha ai.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK, Liral Çelaj nuk ishte pjesë e këtij takimi pasi ishte i angazhuar me aktivitete të tjera në kuadër të fushatës zgjedhore