Të rinjtë dhe gratë do përbëjnë 50 për qind në qeverisjen komunale, thotë Veseli në Vushtrri

Të rinjtë dhe gratë do përbëjnë 50 për qind në qeverisjen komunale, thotë Veseli në Vushtrri

15 tetor 2017 18:42

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim me të rinjtë e Kosovës në qytetin e Vushtrrisë, ku i pari i këtij subjekti, Kadri Veseli u ka premtuar atyre dhe grave pjesëmarrje prej 50 për qind në qeverisjen komunale.

Veseli, në tubimin me të rinjtë, i quajti ata emblemë dhe forcë avangarde për ndryshimin e Kosovës, duke theksuar se rinia e ka krijuar PDK-në dhe si e tillë do të marrë përgjegjësi, transmeton ksp.

Ai ka ftuar elektoratin e PDK-së që më 22 tetor të votojnë Partinë Demokratike të Kosovës, ku është zotuar se në qeverisjen e saj komunale ky subjekt politik do të përfaqësohet dinjitetshëm nga të rinjtë, të cilët gjithmonë patën rol kyç e që janë edhe themelues të UÇK-së.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, e filloi fjalimin e tij duke iu drejtuar të rinjve si promotorë për forcën e ndryshimit të Kosovës, duke i ftuar ata që të votojnë Partinë Demokratike të Kosovës me numrin 94.

Ndërkaq kryetarja e rinisë të Partisë Demokratike të Kosovës, Shpresa Rama, foli për dallimet dhe ngjashmëritë mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se këta të parët luftuan kundër armikut, ndërsa tjerët gjuajtën me zollë institucionet e vendit.

Ajo bëri thirrje që të rinjtë të mos mashtrohen nga kurioziteti për të provuar udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që ata janë njerëzit që e rrënojnë vendin.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme