Zgjedhjet lokale

Vetëvendosje në Artanë thotë se do t’i jap fund varfërisë

Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubim elektoral në Komunën e Artanës, duke kërkuar nga qytetarët që të mobilizohen sa më shumë në këto zgjedhje lokale. Të pranishëm në këtë tubim ishin Kryetari Visar Ymeri dhe deputetët Albin Kurti e Besa Baftiu, të cilët kërkuan mbështetje për listën e kandidatëve për Kuvend Komunal nga Vetëvendosje, bartës i së cilës është Abdyl Gashi.

Në fjalën hapëse të këtij tubimi, Kryetari Visar Ymeri ka bërë një krahasim mes Artanës së dikurshme dhe kësaj sot, duke potencuar se shqiptarët në Artanë sot janë varfëruar shumë dhe se janë pakicë si pasojë e decentralizimit mbi baza etnike. Për këtë ai ka fajësuar pushtetarët që në vazhdimësi bënë pazare, por shprehu bindjen e plotë se me asamblistët e Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Artanës, do të ndalohen strukturat paralele në këtë komunë.

Edhe deputetja Besa Baftiu shprehu mbështetje për kandidatët e Vetëvendosjes për Kuvendin Komunal të Artanës. Ajo tha se ata do të jenë zëri i qytetarëve të kësaj komune në Kuvendin Komunal. Ajo kritikoi partitë e tjera se si në të kaluarën i kanë përfaqësuar vetëm interesat personale të tyre, kurse për 13 kandidatët nga Vetëvendosje për Kuvendin Komunal të Artanës tha se janë idealistë, njerëz të ndershëm, të pa korruptuar, të dijshëm e të arsimuar

Ndërkaq deputeti tjetër, Albin Kurti, fjalimin e filloi duke i inkurajuar qytetarët e Artanës që më datën 22 tetor të dalin sa më shumë në zgjedhje. Edhe Kurti kërkoi mbështetje për kandidatët për Kuvendin Komunal të Artanës nga Vetëvendosje. Kurse, më pas ai u fokusua të problemet e qytetarëve të kësaj komune, më theks të veçantë ato në shëndetësi e bujqësi.

Pas Kurtit, qytetarëve të Artanës i është drejtuar Kryetari i qendrës së Vetëvendosjes në këtë komunë dhe bartësi i listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal, Abdyl Gashi. Ai fillimisht foli mbi rezistencën e vazhdueshme të Vetëvendosjes ndaj projekteve të dëmshme për vendin e më pas edhe për rritjen në zgjedhjet e fundit.

Më tej, Gashi tregoi se ka marrë iniciativën që t’i takojë subjektet tjera politike në Artanë për të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 22 tetorit, si mundësi më e mirë për të triumfuar në garën për kryetar, por tha se subjektet e tjera politike s’kanë treguar gatishmëri.

“Ne do të garojmë me listë për Asamble Komunale në të cilën janë të përfshirë studentë e studente të diplomuara, punëtorë të përkushtuar që do ta mbrojnë interesin e qytetarëve sepse kanë dijen e guximin që t’i shtyjnë proceset që janë në të mirën e qytetarëve e t’i ndalojnë ato në dëm të qytetarëve. Ne ju ftojmë që të na mbështesni, ne kërkojmë që me 22 tetor të ftoni sa më shumë të dalin në zgjedhje e të kërkoni nga ta që të mendojnë 10 herë sepse duke menduar 10 herë pa dyshim do ta votojmë numrin 10”, ishte porosia e Gashit nga ky tubim.

Në fund, Abdyl Gashi prezantoi edhe 12 kandidatët e tjerë për Kuvendin Komunal të Artanës.