Zgjedhjet lokale

Nisma: Projektet dhe idetë qeverisëse të Zafir Berishës përkrahen në lagjet e Prizrenit

Descriptive Text

Rrjedha e fushatës elektorale të kandidatit për kryetar të Komunës së Prizrenit nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, dhe ekipit të Nismës në Prizren, po vazhdon sipas dinamikes së duhur.

Lagja Arbana dhe Jeta e Re, ishin takimet e radhës me qytetarë, ku, siç thuhet në komunikatën e Nismës, “masoviteti i të pranishmëve dëshmoi se Nisma dhe kandidati për kryetar të Prizrenit Zafir Berisha është oferta më e mirë”.

“Kjo konsiderohet domosdoshmëri për qeverisjen e qytetit të Prizrenit, ngase kjo ka ardhur si rrjedhojë e krimit, korrupsionit dhe degradimit të skajshëm të çdo vlere, që i është bërë këtij qyteti nga qeverisjet e deritanishme”, thuhet në komunikatën e Nismës.

Berisha para të pranishmëve në këto dy lagje tha se me vite të tëra kemi qenë zëri i vetëm opozitar në Prizren, duke reaguar për çështje të ndryshme, por në të njëjtën kohë kemi punuar edhe në hartimin e platformës programore për një qeverisje ndryshe në Prizren.

“Hallet dhe nevojat e lagjes Arbana dhe Jeta e Re i njohim shumë mirë”, tha Berisha, “nevoja këto esenciale për një jetë normale, prandaj ju garantoj se Nisma ka projekte konkrete për këto lagje dhe sidomos lagja Arbana do të jetë perla e qytetit të Prizrenit, sepse të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë që vijnë në qytetin e kulturës dhe historisë, kalojnë përmes kësaj lagjeje. Prandaj zotohem se komplet programin qeverisës të Nismës në Prizren, program ky nxjerrë nga identifikimi i nevojave të përgjithshme në fshatra e lagje të Prizrenit do ta realizojmë në tërësi, duke i dhënë kështu trajtimin e duhur, rregullim urban dhe infrastrukturë moderne”, tha ndër tjerash Berisha.

Prezent në këtë takim ishte edhe sekretari i përgjithshëm, njëherësh deputet dhe shef i grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, i cili potencoi se “Zafir Berisha është më i arsyeshmi dhe më meritori për të qenë kryetar i Prizrenit, sepse që katër vjet e ka denoncuar krimin dhe korrupsionin në Prizren dhe që katër vjet ka punuar në hartimin e planeve dhe strategjive për të qeverisur me qytetin e Prizrenit, e jo si kandidatët e partive tjera që janë kandiduar në minutat e fundit për kryetar Prizreni”.

“Mirëpo, a është posti i kryetarit për t’i kënaqur ambiciet e individëve të partive politike, apo është funksion për të t’i shërbyer qytetarëve”, tha Sherifi.

Të pranishmit në këto tubime me nga një fjalë rasti i përshëndetën edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, kandidatët për kuvend komunal, Sadije Krasniqi dhe Flamur Zogaj, të cilët thanë se “shtëpia politike Nismës për Kosovën me udhëheqësit e saj qendrorë dhe lokalë, janë alternativa e vetme dhe e duhur në Kosovë”.