Veseli: PDK do ta ndalë degradimin e Gjilanit

Veseli: PDK do ta ndalë degradimin e Gjilanit

14 tetor 2017 18:52

Pas tubimit qendror në Podujevë, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka marrë pjesë edhe në tubimin elektoral në Sallën e Sporteve në Gjilan.

Para simpatizantëve të PDK-së në Gjilan, Veseli ka thënë se 22 tetori do të jetë dita e fitores së madhe të Partisë Demokratike në Gjilan dhe në gjithë Kosovën.

“22 tetori është dita e Zenun Pajazitit, dita e këtyre kandidatëve të mrekullueshëm për Kuvendin Komunal të Gjilanit. Ne do të fitojmë se Gjilani kërkon ndryshim, Gjilani kërkon zhvillim. Me Zenun Pajazitin kryetar, ne do ta ndalim degradimin e Gjilanit”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se ka katër vjet që Gjilani nuk qeveriset dhe që është praktikisht pa kryetar, sepse kryetari aktual merret me probleme globale dhe me tema të nxehta nacionale.

“Duke mos dashur të harrohet në Prishtinë, ai e ka harruar Gjilanin”, ka thënë ai.

Veseli ka kërkuar prej kryetarit aktual që mos të shqetësohet prej entuziazmit të sotëm, sepse me këtë entuziazëm do ta përcjellin edhe atë pas fitores së PDK-së.

Kreu i PDK-së ka thënë se është koha për njeriun e Gjilanit, për njeriun që e do Gjilanin, që punon për të dhe që do t’ia kthej namin Gjilanit.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Gjilanit, Zenun Pajaziti, ka thënë se Gjilanit do t’i kthehet statusi që meriton, si qendër regjionale e zhvillimit ekonomik.

Ai ka thënë se prej Gjilanit varet krejt zona e Anamoravës, prandaj përkushtimi i qeverisjes së tij do të jetë i plotë në mbështetjen e projekteve të zhvillimit ekonomik.

Pajaziti ka premtuar se do ta kthejë edhe shkollën e agrobiznesit në Gjilan, të cilën e ka mbyllur qeverisja aktuale.

“Do të investojmë në bujqësi. Do t’i rrisim 30 për qind subvencionet për bujqësi”, ka thënë Pajaziti.

Ai ka premtuar edhe një spital modern dhe një objekt të ri për universitetin “Kadri Zeka”, i cili, sipas Pajazitit, do të jetë universitet i krejt këtij rajoni, përfshirë edhe studentët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

“Gjilanit para 4 vjetësh iu premtua edhe një autostradë. PDK-ja e kishte prezantuar një projekt të ri që do ta lidhte Prishtinën me Gjilanin dhe Luginën e Preshevës. Këta e kanë lënë aty ku e nisëm ne dhe nuk kanë bërë asgjë që Gjilanin ta lidhin me autostradë. Në mandatin e ardhshëm, me mbështetjen e Kadri Veselit, ne do ta ndërtojmë edhe autostradën, sepse vetëm ne ndërtojmë autostrada dhe realizojmë projekte të mëdha”, ka thënë Pajaziti.

Si Kryetar i Gjilanit, Pajaziti është zotuar se do u shërbejë vetëm qytetarëve, të cilët janë ndjerë të braktisur nga qeverisja aktuale.

“Qytetarët nuk do të ndjehen më të braktisur, por më 22 tetor do ta braktisin këtë qeverisje të keqe dhe do t’i bashkohen forcës së ndryshimit”, ka thënë ai.

Fitorja e 22 tetorit, ai ka thënë se do të jetë fitore e qytetarëve të Gjilanit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme