Ferati: Mitrovica duhet të mbetet qytet i pavarur Foto: Ilustrim

Ferati: Mitrovica duhet të mbetet qytet i pavarur

14 tetor 2017 17:31

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, gjatë tubimit zgjedhor sot në Mitrovicë, ka thënë se njerëzit, të cilët kanë udhëhequr deri tash i kanë shumë borxh Mitrovicës dhe Kosovës.

Sipas tij, ata do të japin llogari për gjithçka që kanë bërë deri tash para gjyqësisë së pavarur, pasi Vetëvendosje dëshiron drejtësi.

“Mitrovicës i kanë borxh shumë këta njerëz, që besa edhe Kosovës i kanë borxh shumë këta njerëz. Një për një të gjitha do t’i paguajnë. Mos mendoni që puna me ta do të kryhet thjeshtë me zgjedhje. Ata do të japin llogari për gjithçka që kanë bërë deri më tash, jo para nesh, sepse ne nuk duam hakmarrje, por para gjyqësisë së pavarur, sepse ne duam drejtësi”, ka thënë Ymeri, shkruan KP.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se duhet bërë bashkë të gjithë më shumë se sa më 11 qershor, për fitoren e 22 tetorit, pasi vetëm të bashkuar dhe me mendje e zemër mund të arrihet një gjë e tillë.

“Kur jemi të ndarë e veçmas si individë, asgjë s’duket e mundshme, kur bëhemi bashkë gjithçka bëhet e mundshme. Ne të bëhemi bashkë si më 11 qershor, ne të bëhemi edhe më shumë se sa më 11 qershor, ne të fitojmë bashkë më 22 tetor me mendje e me zemër, ne të fitojmë masivisht e bashkërisht në Mitrovicë e për Mitrovicën, në çdo lagje e në çdo fshat”, theksoi Kurti.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Mitrovicës nga radhët e Vetëvendosjes, Fehmi Ferati, ka potencuar se Mitrovica duhet të jetë e pavarur dhe i qytetarëve të saj, ku për të nuk vendoset nga Prishtina, Skenderaj e vendet tjera.

“Mitrovica duhet të mbetet qytet i pavarur dhe i qytetarëve të vet. Votoni Vetëvendosjen dhe qytetin, ku nuk vendoset në Prishtinë me telefon për kryetarin, ku nuk vendoset për Mitrovicën nëpër vilat e Ajvalisë e nëpër “Swiss Diamond”, ku në Mitrovicë vendos qytetari e jo telefonatat prej Skenderaj”, tha Ferati.

Gjatë këtij tubimi u prezantuan edhe kandidatët për asamblistë komunalë nga radhët e këtij subjekti politik.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme