Veseli: Ismet Hajrullahu është Forca e Ndryshimit të Lipjanit

Veseli: Ismet Hajrullahu është Forca e Ndryshimit të Lipjanit

13 tetor 2017 19:50

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në Sallën e Sporteve në Lipjan, ka thënë se Forca e Ndryshimit me kryetar Ismet Hajrullahun, do t’i nxjerrë qytetarët e kësaj komune nga gjendja ku e ka katandisur qeverisja e deritashme.

“Lipjani ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për dijen, guximin dhe lidershipin e Ismet Hajrullahut. Lipjani ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së ka thënë se Forca e Ndryshimit do t’i japë fund stagnimit ekonomik, dukurive negative dhe burokracisë, që e kanë ngufatur biznesin dhe ndërmarrësinë në Lipjan.

“Ne do t’ia kthejmë Komunën e Lipjanit qytetarëve të tij”, ka thënë ai.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Lipjanit, Ismet Hajrullahu, ka thënë se Komuna e Lipjanit do të jetë në shërbim të qytetarit e jo të klaneve dhe pushtetit shantazhues të Lipjanit.

Ai ka thënë se platforma e tij është kontratë me qytetarin.

“Vetëm një çerdhe publike është në Lipjan. Ne do të ndërtojmë çerdhe në çdo fshat të madh të Lipjanit”, ka premtuar Hajrullahu.

Kandidati i PDK-së për Kryetar të Lipjanit ka premtuar edhe përmirësimin e shëndetësisë së Lipjanit dhe një shtëpi të veçantë për të moshuarit.

Ai ka thënë se sektori privat, fermerët dhe ndërmarrësit, në qeverisjen e PDK-së nuk do të kenë frikë t’i drejtohen komunës për mbështetje, sepse qeverisja e tij nuk do t’i shantazhojë ata, por do të jetë derë e parë për zgjidhjen e problemeve të tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme