Abrashi thotë se do t'i përkrahë zejtarët për t'i mbijetuar konkurrencës në treg

Abrashi thotë se do t'i përkrahë zejtarët për t'i mbijetuar konkurrencës në treg

13 tetor 2017 18:27

E premtja ka qenë dita kur kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar ofertën e tij për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe biznesit, ndërsa pasdite ai ka vizituar zejtarët, të cilëve u ka prezantuar platformën për përkrahje në katër vitet e ardhshme.

“Zona e vjetër e Prishtinës, përveç pamjes së re, do të ketë edhe përkrahje për biznese zejtare të cilat e begatojnë këtë pjesë të qytetit. Jam i vetëdijshëm që konkurrenca në treg e vështirëson punën e disa zejeve të vjetra, të cilat janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore, prandaj si kryetar i ardhshëm do të kujdesem që këto zeje të mbijetojnë në kushtet e ekonomisë së tregut, nëpërmes përkrahjes së komunës”, tha Abrashi.

Gjatë bashkëbisedimit me zejtarët dhe banorët e Prishtinës së Vjetër, Abrashi ka thënë se nga Fondi i Punësimit do të subvencionojë pagat e punëtorëve në sektorin e zejtarisë, për t'i inkurajuar të rinjtë që të merren me këtë veprimtari dhe të mos shuhen këto zeje.

Abrashi pranoi kërkesat e banorëve të zonës për investime në infrastrukturë nëntokësore, për ndriçim dhe trotuare të reja, për të cilat ai tha se do të gjejë zgjidhje.

Abrashi ka kaluar edhe skaj shkollës “Emin Duraku”, e cila është bërë objekt i mediave ditët e fundit. Kjo shkollë është rrënuar dhe rindërtuar shkolla e re brenda vitit 2012, kur Prishtina qeverisej nga LDK-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme