Zgjedhjet lokale

Jashari i prekur që vajzat po mësojnë gjermanishten për të ikur nga Kosova

Në kuadër të fushatës zgjedhore, kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt Bekim Jashari, ka takuar gratë e këtij qyteti, ku ka biseduar me to.

Jashari tha se gruaja shqiptare e në veçanti gruaja drenicase ashtu siç diti me shekuj të rritë burra të pendës dhe luftës ashtu do të dijë të ndërtojë këtë vend. Jashari ripërsëriti se qytetarët kërkuan nga ai që të kandidojë, madje ky ishte vendimi më i vështirë për të dhe familjen e tij që nga paslufta, përcjell ksp.

Por tha se që nga fillimi i fushatës ka parë vullnet tek qytetarët që e kanë bërë atë ndihet mirë me vendimi e tij. Jashari tha se do të punojë ngushtë me gratë pasi “Zoti i ka falur si burrat ashtu edhe gratë të barabartë”.

Ai premtoi se përfaqësimi i femrave në komunë të kalojë 30 për qind. Jashari tha se prioritet kryesor është arsimi.

Jashari po ashtu tha se do ta kompletojnë Spitalin e Skenderajt i cili u përurua këtë vit, me aparaturë adekuate që qytetarët mos të shkojnë në Mitrovicë apo Prishtinë për raste jo urgjente.

Zhvillimi ekonomik tha ai do të jetë një prioritet tjetër për rritur punësimin e rinisë. Jashari tha se sot gjatë fushatës është lënduar shumë kur ka vizituar një qendër për gjuhë të huaja kur ka parë gra e vajza të reja duke mësuar gjuhën gjermane për të shkuar jashtë vendit.

Madje theksoi se kjo i është dukur sikurse në vitet e 90-ta. Prandaj tha se zhvillimin ekonomik do ta ketë prioritet të veçantë që rinia dhe gjithë të shohin perspektivën në Skenderaj. Ai ka kërkuar nga gratë drenicase që pas 22 tetorit ta ngrehin zërin sikurse burrat sepse do ta kenë mbështetjen e tij. Po ashtu janë prezantuar kandidatet femra për asamblenë komunale të Skenderajt.