Tahiri premton rregullimin e sheshit “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri

Tahiri premton rregullimin e sheshit “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri

13 tetor 2017 14:11

Kandidati për kryetar të komunës së Vushtrrisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhafer Tahiri, ka shpalosur projektin e Qendrës Historike të Vushtrrisë si dhe projektin e sheshit Ahmet Krasniqi.

Pretendenti për të parin e Vushtrrisë, bëri të ditur se pjesë e planit të tij qeverisës është krijimi i sheshit ku do të emërtohet me emrin e kolonelit, ku sipas tij ky shesh do të jetë edhe pjesë e Qendrës Historike të këtij qyteti.

Madje për ketë ai u zotua që do ta realizojë dhe që do të jetë pjesë e detyrave të para nëse e merr drejtimin e Vushtrrisë.

"Sot jemi këtu në këtë shesh i cili është praktikisht oborri i Hamamit, por është bashkë edhe me oborrin e komunës së re. Këtë hapësirë në planin tonë të qeverisjes së re të LDK-së për komunën e Vushtrrisë do ta shpallim sheshi Kolonel Ahmet Krasniqi. E gjithë Vushtrria, e gjithë Kosova dhe e gjithë shqiptaria është krenar me punën, veprën dhe trashëgiminë që na ka lënë koloneli Ahmet Krasniqi, ministri i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës i emëruar nga presidenti Rugova. Vushtrria do ta nderojë këtë burrë të madh të kombit me një shesh, një shtatore dhe sigurisht do të punojmë që të sjellim edhe eshtrat e kolonelit në Vushtrri bashkë me familjen, sigurisht në konsultim të ngushtë me familjen e kolonelit. Sheshi do te jetë pjesë e qendrës historike të Vushtrrisë bashkë me sheshin ‘Hasan Prishtina’, ndërkohë që do të emërojmë në këtë shesh edhe rrugën ‘Ibrahim Rugova’”, tha Tahiri.

Ai tha se më këtë do të kthejnë dinjitetin e Vushtrrisë, por edhe do të ruajnë identitetin e saj si një prej qyteteve më të vjetra. Të pranishëm për t’i dhënë mbështetje këtij programi ishin edhe deputeti Anton Quni dhe Armend Zemaj, transmeton Kosovapress.

Me këtë rast, deputeti i LDK-së, Anton Quni, tha se momentet më të veçanta të jetës së tij janë momentet kur ka shërbyer nën urdhrat e Kolonel Ahmet Kraniqit dhe tash kur po e riaktualizojnë personalitetin e tij.

"Emri juaj ka kuptimin përgjegjësi dhe unë besoj që ju do të jeni përgjegjës para zotimit që dhatë para aktivistëve të LDK-së, para qytetarëve, para familjarëve. Ky shesh në të ardhmen do të emërtohet me emrin e kolonelit Ahmet Krasniqi, e po ashtu emri Ahmet e ka kuptimin i çmuar. Dhe besoj që do të jetë një ndër vendet më të çmuara këtu në qytetin e Vushtrrisë, jo vetëm për qytetarët e Vushtrrisë por për të gjithë qytetarët e Kosovës kur e kemi parasysh personalitetin dhe figurën e kolonelit Ahmet Krasniqi", tha ai.

Deputeti Quni tha se uron që pas zgjedhjes së Xhafer Tahirit në krye të Vushtrrisë të vijnë për të inauguruar sheshin e Kolonel Ahmet Krasniqit. Kolonel Ahmet Krasniqin ka qenë ministri i parë i Mbrojtjes në Kosovë, i cili është vrarë me 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme