Zgjedhjet lokale

Ahmeti premton se Kalabria do ta ketë linjën e transportit publik

Në tubimin e mbajtur në lagjen Kalabria, përveç kandidatëve për Kuvend Komunal folën edhe Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti si dhe Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Ylli Hoxha.

Ahmeti në fjalën e tij të rastit shpjegoi zotimet që dalin nga programi jonë “Prishtina, qytet në çdo lagje”.

Në kuadër të këtyre zotimeve, janë edhe shkolla dhe çerdhja e re për lagjen Kalabria, që do t’i përmbushë nevojat e banorëve të lagjes në këtë sektor.

“Prioritetet e lagjes i kemi marrë nga vetë ju si banorë. Shkolla e re, çerdhja e re, zgjerimi i rrjetit të ndriçimit, hapja e rrugës për lagjen Qendresa, janë vetëm disa prej projekteve që do të realizohen gjatë katër viteve të ardhshme në lagjen tuaj”, tha Ahmeti.

Lajm i gëzueshëm për banorët e lagjes Kalabria ishte edhe përfundimi i Planit të Mobilitetit, me ç’rast Ahmeti i njoftoi ata se tashmë Kalabria do të ketë linjë të transportit publik, do të ketë transport të rregulluar brenda lagjes, si dhe hapësirë për parkingje.

Ylli Hoxha, duke folur për angazhimin e madh të qytetarëve dhe aktivistëve drejt fitores sonë të radhës, tha se tashmë Shpendi e ka siguruar mandatin e dytë, edhe më të fuqishëm se të parin, me shumë më shumë asambleistë. “Në vitin 2013 kishim 16 mijë vota në Prishtinë, kurse në qershor 2017 Vetëvendosje kishte më shumë se 40 mijë vota në Prishtinë. Ne dolëm me zotime konkrete para 4 viteve, dhe u qëndruam në fjalë qytetarëve. Njësoj do të ndodhë edhe me 100 zotimet e mandatit të dytë. Tashmë e kanë të qartë të gjithë qytetarët e Kosovës, jo vetëm të Prishtinës, mënyrën tonë të qeverisjes. Prishtina do ta vazhdojë rrugëtimin e nisur në fund të vitit 2013, por kësaj radhe do t’i bashkëngjiten edhe shumë komuna të tjera”, tha ndër të tjera Hoxha.