Zgjedhjet lokale

Limaj: Ngrini zërin për gratë e dhunuara, ato janë heroina

Nisma për Kosovën është mbledhur sot pasdite në Prishtinë në një tubim zgjedhor me gratë. Kryetari i Nismës Fatmir Limaj tha se gruaja është kreatore e jetës dhe është fisnike për të marrë vendime të drejta.

Sipas tij programi i Nismës ndihmon gruan si në problemet sociale, zbutje të papunësisë e shumë probleme tjera.

Limaj në këtë tubim me gra është shprehur edhe i emocionuar kur ka përkujtuar kohën e luftës kur ka parë gratë dhe nënat e sidomos ato të dhunuara.

“Unë kam pas rastin në jetën time politike të shoh gjithçka. Janë disa momente të vështira që si harron. Një nga momentet më të vështira të jetës sime është takimi me motrën, me gratë tona... e kam fjalën tona për gratë e dhunuara, është e papërshkrueshme, e jashtëzakonshme me dëgju fjalë nga to..ato sot kanë nevojë që ne të jemi zëri i tyre. Iu ftoj që në çdo tubim të ngrisni zërin sepse për mua ato janë heroina të gjalla", tha Limaj.

Limaj tha të gjithë kanë nevojë të dinë për hallet e grave të Kosovës që kanë sakrifikuar shumë për lirinë e Kosovës, pasi që sipas tij shumë njerëz i kanë harruar ato.

Kryetari i Nismës ka premtuar se ai do t’i fus më shumë gra edhe në Qeveri dhe në vendimmarrje.

Grave të mbledhura u është drejtuar edhe kryetarja e Gruas së Nismës Valdete Bajrami, e cila tha se pozita e gruas nuk është ashtu siç e meriton. Sipas saj ajo sot ballafaqohet me shumë barriera.

Duke kujtuar se si ka filluar jetën e saj politike në Nismë ajo tha se i është bashkuar kësaj partie pasi që i është mundësia për të bërë ndryshimin.

Në këtë tubim kanë folur edhe disa kandidaten për asambliste nëpër komunat e ndryshme ku thanë se Nisma është partia politike ku kanë gjetur hapësirë për gratë.

Arbenita Krasniqi-Halitaj tha se në Nismë gruaja mund ta gjejë mbështetjen dhe hapësirën për të bërë ndryshime.