Abrashi akuzon Vetëvendosjen se punësoi militantë partiakë nga komunat e tjera

Abrashi akuzon Vetëvendosjen se punësoi militantë partiakë nga komunat e tjera

10 tetor 2017 20:47

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, e ka kritikuar ashpër qeverisjes e deritanishme të Prishtinës për politika të punësimit, të cilat iu pamundësuan kuadrove të Prishtinës që të punësohen, dhe në vend të tyre u punësuan militantë partiakë nga komuna të tjera, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Ata që nuk e kanë bërë asnjë punësim dhe asnjë investim në ‘Kodrën e Trimave’ tash ua kërkojnë votën. Gjatë katër viteve kanë punësuar militantë nga të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa i kanë injoruar qytetarët e ‘Kodrës së Trimave’ dhe banorët e krejt Prishtinës. Kuadrot e Prishtinës mbetën pa punë, sepse ua zënë vendin militantët e komunave tjera”, ka thënë Abrashi, transmeton Koha.net.

Ai potencoi se “Kodra e Trimave” ka qenë dhe mbetet bastion i Rugovizmit.

“Njerëzit që e kanë shkatërruar shtatoren e Rugovës tash po kërkojnë vota në bastionin e Rugovizmit”, shtoi Abrashi.

Ai tha se, “Prishtina e ka humbur shansin për katër vite, sepse ata nuk bën asgjë për qytetin tonë, asnjë shkollë nuk është ndërtuar për katër vite, asnjë metër gyp i ujësjellësit nuk është vendosur për katër vjet, asnjë qendër e mjekësisë familjare nuk është ndërtuar, asnjë park nuk është ndërtuar, prandaj Prishtina nuk ka kohë për të humbur me ata që flasin kot, ankohen pandërprerë dhe nuk bëjnë asgjë”.

Kryetari i Degës së I-rë të LDK-së në Prishtinë, Ismet Beqiri, ka thënë se pjesëmarrja juaj kaq masive tregon përkushtimin tuaj për LDK-në e Ibrahim Rugovës dhe fitoren në zgjedhjet e 22 tetorit.

“Zemra e LDK-së në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën është në ‘Kodrën e Trimave’ dhe kjo na bën të ndihemi krenarë të gjithë neve banorëve të kësaj lagjeje. Abrashi ka një ekip të mrekullueshëm, për dallim nga të tjerët që kanë fjalë boshe dhe nuk kryen asnjë punë për katër vjet në Prishtinë. Mos i përkrahni ata që përdorin dhunë dhe e rrënojnë kryeqytetin, por ata që kanë vizion për qytetin dhe Kosovën”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme