Zgjedhjet lokale

LDK-ja e bindur për fitore në Fushë Kosovë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e bindur që sërish do të qeverisë në Komunën e Fushë Kosovës dhe këtë bindje e ka shprehur edhe kryetari i degës së kësaj partie, Abdullah Prebreza në takimin e së martës.

“Ne do ta udhëheqim Fushë Kosovën edhe në mandatin e ri, sepse ne punojmë, ne e mbajmë fjalën, ne jemi fitimtarë. Prandaj, më 22 tetor do t’u tregojmë të gjithëve se ne dimë të udhëheqim dhe ne do të fitojmë“, ka thënë Prebreza në hapje të tubimit, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

I sigurt është shprehur edhe sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri. “Përshëndetje për të gjithë anëtarët e mrekullueshëm të LDK-së, përshëndetje për Fushë Kosovën e Lidhjes Demokratike të Kosovës e në veçanti për ‘Pampurat’ që i japin hijeshi këtij tubimi. Fushë Kosova me një njeri të mrekullueshëm si Burim Berisha, do të vazhdojmë udhëheqjen në këtë komunë“, ka thënë Beqiri.

“Fushë Kosova është një bastion i partisë që ka vlera, partisë që e themeloi, e ndërtoi, e rriti presidenti ynë i madh dhe historik Ibrahim Rugova”, ka shtuar sekretari i LDK-së. “Burimi rrallë e vendos kravatën, sepse flet fare pak e punon shumë. Nuk them që ata me kravata nuk punojnë, por Burimi njihet si i tillë, fjalëpak, modest, punëtor e njeri i fjalës”, ka vlerësuar Beqiri.

Ai ka shtuar se edhe Bardhi i Madh, Bardhi i Vogël, Sllatina e Madhe, Sllatina e Vogël, Pomozotini, Harilaçi, Vragolia, Lismiri, Nakarada, Miradia e Poshtme dhe ajo e Epërme, nuk kanë asnjë arsye të mos e votojnë Burim Berishën, ndërsa i ka ftuar të gjithë të mobilizohen që vota e banorëve të Fushë Kosovës të vendoset aty ku rri më së miri e më së miri rri te LDK-ja.

Burim Berisha, i cili beson se do ta fitojë edhe mandatin e pestë si kryetar i Fushë Kosovës, ka thënë se është kandidat i LDK-së, por edhe i tërë njerëzve të mirë të Fushë Kosovës, të cilët e duan paqen, lirinë dhe punën, ndërsa nuk e pranojnë dhunën.

“Kam qenë dhe do të jem përfaqësues i denjë i fermerit, nxënësit, studentit, mësuesit, mjekut, punëtorit, biznesmenit, sportistit, i njerëzve vullnetmirë, i “Pampurave” dhe i njerëzve që kanë nevojë“, ka thënë Berisha, duke shtuar se do të jetë zë i veçantë i të sëmurëve dhe atyre me nevoja të veçanta.

“Në Fushë Kosovë çdo ditë vijnë njerëz të rinj për të jetuar dhe askush nuk pyet nga je, kush je, pse ke ardhur, sepse motoja jonë është: ‘Fushë Kosova, vend i njerëzve të lirë‘ dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, ka theksuar Berisha.

Kandidati i LDK-së ka shtuar se veçori e qeverisjes në Fushë Kosovë ka qenë dhe do të jetë barazia ndërmjet njerëzve në fshat dhe në qytet.