Zgjedhjet lokale

VV prezanton 26 zotimet për Pejën

Lëvizja Vetëvendosje në Pejë ka thënë se qeverisjet e ndryshme në këtë Komunë e kanë shndërruar këtë qytet të bukur e me potencial të shumëfishtë në “çerdhe të krimit e korrupsionit dhe e kanë lënë pa zhvillim e përparim”.

LDK dhe AAK, herë njëra e herë tjera, në bashkëqeverisje me PDK-në, sipas VV-së, kanë promovuar mendësi të njëjtë qeverisëse dhe me qeverisjet e tyre, Peja ka stagnuar, kurse pejanët në vazhdimësi e kanë humbur shpresën.

“Peja që ka qenë qytet i bujqve i fabrikave dhe i dijes e kulturës, nuk mund të qeveriset nga ata që e lanë pa fabrika e pa prodhim e që nuk kanë dije e program për ta zhvilluar. Në krye të Pejës duhet ekip që e ka vullnetin, dijen e guximin që ta kthejë dinjitetin e zhvillimin në këtë komunë, e ky ekip ekziston vetëm në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila e ka edhe programin për ta bërë këtë. Në ballë të këtij ekipi është kandidati për kryetar të Pejës, profesori Bashkim Nurboja”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Nurboja sot paraqiti 26 zotimet e Lëvizjes Vetëvendosje për Pejën.

Ndërtimi i 40 banesave në lagjen “Sahat Kulla” dhe shpërndarja e tyre për familjet e pastreha, rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta brenda 4 viteve; regjistrimi i bujtinave dhe EtnoParku në Rugovë; rikthimi i parkingjeve publike; rrjeti i ndriçimit në çdo lagje dhe fshat; transparenca radikale në prokurim, subvencione, shpenzime komunale; rritja e subvencioneve bujqësore dhe ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe legalizimi i ndërtimeve që nuk janë në konflikt me planin urbanistik; janë disa nga zotimet që ka shpjeguar para publikut kryetari i ardhshëm i Pejës.

26 Zotimet e Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Pejës

1. Qendra të mjekësisë familjare të rinovuara dhe të funksionalizuara me qasje të lehtë për të gjithë qytetarët.

2. Riparimi dhe funksionalizimi i Ambulancës në Rugovë me kujdestari 24h për banorët dhe turistët.

3. Hapja e 5 çerdheve të reja brenda 3 viteve në 7 shtatori, Rrokaqielli, Zatra, Lugë të Baranit dhe Qyshkë.

4. Përzgjedhja e drejtorëve të shkollave me pjesëmarrjen e komunitetit.

5. Vizita sistematike shendetësore në shkolla dhe shujta për nxënësit deri në klasën e 5-të.

6. Kabinete, laboratore, kënde leximi dhe kurse me mësim plotësues për çdo shkollë.

7. Pajisja e institucioneve publike dhe shkollave me aparaturë për shuarjen e zjarrit.

8. Ndërtimi i 40 banesave në lagjën “Sahat Kulla” dhe shpërndarja e tyre për familjet e pastreha, rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta brenda 4 viteve.

9. Banim me kosto të përballueshme për punëtorët e sektorit publik me mundësi pagese pa kamatë.

10. Regjistrimi i bujtinave të turizmit në Rugovë, ndërkombëtarizmi dhe regjistrimi i tyre në platformat turistike botërore (Smart Tourism).

11. Linjë turistike e rregullt Pejë-Rugovë.

12. Ndarja e hapësirës publike për ndërtimin e EtnoParkut në Rugovë.

13. Ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe legalizimi i ndërtimeve që nuk janë në konflikt me planin urbanistik.

14. Krijimi i ndërmarrjes publike banesore për mirëmbajtjen e ashensorëve, pastrimin e korridoreve, mirëmbajtjen e sistemit të ndriçimit dhe ngjyrosjen e objekteve.

15. Rikthimi i parkingjeve publike në menaxhim të Komunës dhe organizimi i tyre me çmim të përballueshëm për qytetarët.

16. Çdo lagje dhe fshat në Komunën e Pejës do të ketë rrjet të ndriçimit brenda 4 viteve.

17. Transparencë radikale në prokurim, subvencione, shpenzime komunale, punësim si dhe digjitalizim i shërbimeve komunale (e-Prokurimi, e-Denoncimi, e-Rekrutimi).

18. Rritja e subvencioneve bujqësore për projektet me iniciativa grupore dhe ndarja e pronave bujqësore komunale për shfrytëzim nga bujqit.

19. Mbështetja e bujqve dhe fermerëve nga Drejtoria e Bujqësisë me trajnime dhe konsulencë.

20. Rregullimi i problemit me qentë endacak duke bërë kastrimin dhe aktivizimin e qendrës për mbajtjen e kafshëve.

21. Angazhimi i Komunës për moslejimin e privatizimit të Kinemasë së qytetit.

22. Rritja e hapësirës së bibliotekës së qytetit dhe pasurimi me tekste shkencore.

23. Organizimi i Festivalit të artistëve të rinj për krijimin e filmave të shkurtër.

24. Largimi i zyrtarëve të subjekteve politike nga menaxhimi i klubeve sportive të qytetit, ndarje e ndershme e subvencioneve dhe organizim i tribunave për sponzorim.

25. Organizim i ligës sportive të shkollave fillore dhe të mesme.

26. Mbështetje për teatrin duke krijuar një kalendar të plotë artistik dhe promovim të shfaqjeve.