Haziri premton ndërtimin e parkut më të madh të Gjilanit në “Livadhet e Arapit”

Haziri premton ndërtimin e parkut më të madh të Gjilanit në “Livadhet e Arapit”

09 tetor 2017 19:43

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili kandidon edhe për një mandat në krye të kësaj komune nga radhët e LDK-së, ka zhvilluar një tubim zgjedhor në lagjen “Qendra”.

Sipas komunikatës së LDK-së nga kjo Komunë, vizionit të Hazirit i është dhënë “mbështetje enorme për zhvillimin e qytetit të demokracisë”.

Haziri, Luta, përpos falënderimit të pafund, tha se ky tubimi është mesazhi më i mirë për partitë rivale.

“Partitë tjera do të ishin shumë të lumtur nëse e kishin mbajtur një tubim të tillë me krejt Gjilanin. Ky tubim, i një lagjeje, është mesazhi më i mirë se me 22 tetor do ta kryejmë punën, në mënyrë që t’i vazhdojmë punët e hajrit për qytetin tonë”, tha Haziri.

Haziri tha se do të punojnë që Gjilanin ta bëjnë qendrën më të madhe ekonomike, pas asaj kulturore e sportive, ndërkaq ka përmendur faktin që projekti i lumit “Mirusha” tashmë veç po përfundohet.

“Në lagjen Qendra, përveç që jemi duke e çliruar qytetin prej ngufatjes dhe aromës së keqe të ‘Mirushës’, jemi duke e ndërtuar edhe një shëtitore, e cila do të përfundojë së shpejti. Do të krijojmë hapësirë më të mirë për qytetarët duke e rrënuar ish-objekti e Ekzekutivit dhe një pjese të ish-ndërtesës së burgut, ndërsa një pjesë do ta ruajmë me kërkesën e Shoqatës së të Burgosurve Politikë. Po ashtu, jemi në proces të fillimit të rindërtimit të Stadiumit të Qytetit, sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s”, ka deklaruar Haziri.

I pari i gjilanasve ka premtuar se gjatë mandatit të ardhshëm do ta ndërtojnë parkun më të madh të qytetit në “Livadhet e Arapit”.

“Në pjesën e ‘Deremahallës’, do të ndërtohet parku më i madh i qytetit pikërisht në ‘Livadhet e Arapit’, pastaj me kërkesë të shoqatës së Shurdhmemecëve do ta ndërtojmë një park në qendër”, ka nënvizuar Haziri.

Në tubim janë prezantuar kandidatët për Kuvend Komunal, Mirvete Hoxha, Teuta Suliqi, Arta Ramadani dhe Vineta Shaqiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme