Zgjedhjet lokale

Ahmeti në Sofali: Vetëvendosje qeverisë bashkë me qytetarët

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim në lagjen Sofalia të Prishtinës, ku u prezantuan kandidatët për Kuvend Komunal nga kjo lagje, si dhe u fol për programin tonë për të ardhmen.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se “100 zotimet tona për mandatin e dytë janë zotime që kanë buruar nga takimet tona të përditshme me qytetarë”.

“Mbajtëm mbi 140 tubime publike me qytetarë gjatë mandatit të parë, ku i mësuam kërkesat dhe nevojat e secilës lagje. Në Sofali, përveç të tjerave, kërkesa juaj ka qenë çerdhja, që tashmë është e hapur. Ndërtuam raport të llogaridhënies nga Komuna tek qytetarët, llogaridhënie kjo që është avancuar në besim të qytetarëve në Komunën e Prishtinës. Kjo është mënyra se si qeverisë Vetëvendosje. Tashmë këtë e ka kuptuar secili, edhe në Prishtinë edhe jashtë Prishtinës”, u shpreh Ahmeti.

Kurse, kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë, Ylli Hoxha, foli për përvojën e tij në mandatin e parë në Kuvend Komunal, dhe problemet me të cilat është ballafaquar Komuna në raport me atë Kuvend.

“Për shembull, një nga rastet ishte edhe parcela që duhet t’ia ndanim një fabrike që hapte 100 vende të reja të punës, ku humbëm me vota 26 me 25. Në fund morëm vesh që ajo parcelë ishte uzurpuar nga familjarët e një asamblisti të PDK-së. Pra, sot nuk e kemi fabrikën aty, për shkak se LDK dhe PDK votuan në interes të asamblistit të PDK-së, e jo në interes të Komunës. Prandaj na duhet shumica në Kuvend Komunal, shumicë kjo e përbërë nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ndër të tjera Hoxha.