Zgjedhjet lokale

Kandidatet për Kuvend Komunal nga Vetëvendosje, kërkojnë më shumë përfshirje të grave

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot tubim me gratë kandidate për Kuvend Komunal, ku është theksuar rëndësia e angazhimit dhe e mobilizimit të grave për ndryshimin e madh nëpër komunat e Kosovës.

Në fjalimin e saj të hapjes së tubimit, Drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Nazlie Bala, tha se ndonëse rrugëtimi ndër vite ka qenë ballafaqim me pabarazinë, asnjëherë nuk është hequr dorë nga përpjekja për barazi. Ajo ka folur edhe për takimet e shumta me gra, prej ku janë mësuar problemet e mëdha të cilat i përcjellin gjatë përditshmërisë së tyre. Bala tha tutje se angazhimi grave dhe vajzave është i domosdoshëm për ta planifikuar zgjedhjen e problemeve të tyre.

“Angazhimin tonë të deritanishëm e dëshmon prania e grave kandidate për Kuvende Komunale në tërë Kosovën, prani e cila nuk i besoj formalitetit të përqindjeve dhe të qenit formal, por vullnetit për t’u angazhuar. Ku më mirë se në Vetëvendosje është ngulitur parimi i barazisë? Ne jemi të vetëdijshme për kohën që e jetojmë, por ne nuk besojmë në formalizma, sepse si nuk jetojmë formalisht si gra dhe jemi gjysma e kombit”, ka thënë ndër të tjera Bala.

Pas Balajt, Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se shoqëria është më e hapur dhe me demokratike sa më e lartë është përfshirja e grave në jetën publike, në arsim, në biznes dhe në media. Ajo ka shtuar se beteja ndaj paragjykimeve të shoqërive konservatore fillon pikërisht nga niveli lokal.

“Përkundër lëvizjeve pozitive që janë shënuar viteve të fundit, sikur të mos ekzistonte kuota e detyruar e përfaqësimit të gruas, edhe sot nuk do të kishim përfaqësim meritor dhe të barabartë. Për këtë flet qartë edhe përbërja e kabinetit qeveritar, me vetëm dy gra ministre, që paraqet regres krahasuar edhe me qeverinë e kaluar”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

Ndërsa, deputeti Albin Kurti gjatë këtij tubimi tha se nuk ka nevojë për statistika për ta vënë re mungesën e gruas në politikë, duke potencuar se është tejet i rëndësishëm angazhimi i tyre për ta ndryshuar kjo gjendje.

“Një shoqëri e mat qytetërimin e saj pikërisht përmes përmasave të barazisë gjinore, që ajo ua lejon ose nuk ua lejon grave. Shoqëria jonë lë shumë për të dëshiruar”, tha Kurti, duke shtuar më tej se përkundër kësaj, gratë janë angazhuar në vazhdimësi. Kurti tha tutje se në Kosovë kemi përfshirje të grave më shumë, por jo edhe pjesëmarrje. Ai shtoi se për të kaluar nga përfshirja në pjesëmarrje, duhet të kalohet nga integrimi në çlirim.

“Për gratë kjo ka dy aspekte: çlirimi nga shtypja në patriarkalizëm dhe çlirimi nga shfrytëzimi në kapitalizëm”, tha po ashtu deputeti Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se barazia vjen përmes emancipimit, por edhe emancipimi kushtëzohet nga barazia.

“Nuk mund të ketë as liri, as mirëqenie dhe as zhvillim kur nuk ka barazi. E nuk mund të ketë barazi shoqërore kur nuk ka barazi gjinore. E nuk mund të flasim për barazi kur gruaja përjashtohet nga punësimi, nga prona, nga shkollimi. Në Kosovë 81.9% e grave nuk e kanë një vend pune dhe nuk marrin pagë. Prej 18.1% që janë aktive, të papunësuara janë 36.6%. Në vitin 2015, vetëm 5% të grave kishin në pronësi shtëpi/banesë. Ndërkohë vetëm 4.9% femra janë bartëse të pronësisë së tokës bujqësore”, tha Ymeri.

Tutje ai tha se komuna duhet të jetë hapësirë barazie dhe solidariteti, duke potencuar se ajo investon në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të cilat qytetarit ia sjellin ujin, rrymën, transportin, shkollën, ambulancën, bibliotekën, parkun, rrugën, trotuarin, këndin e lojërave, fushën e sportit.

“Asambletë komunale duhet domosdoshmërish të angazhohen për buxhetimin gjinor. Këtë nuk do ta bëjnë pa qenë ju në këto asamble. Prandaj është tejet e rëndësishme që kandidatete asambliste të fitojnë në këto zgjedhje. Nuk mjafton kuota prej 30%. Barazia nuk është çështje kuotash ose forumesh. Është përpjekje e barabartë e të gjithë prej nesh”, ka përfunduar Ymeri.