Zgjedhjet lokale

Limaj thotë se Nisma ka arritur objektivat pa mashtruar njerëz

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar në Istog se derisa në Kosovë ekzistojnë subjekte politike që bëjnë premtime mashtruese dhe të tjerë duan ta rrënojnë atë çka është ndërtuar deri tash, Nisma për Kosovën, ka arritur objektivat duke mos premtuar dhe mashtruar njerëz.

Limaj gjatë një takimi me kandidatët për asamble komunale në Istog, ka thënë se Nisma ka arritur të fus një frymë të re në sferën politike të Kosovës, duke ditur të largohen nga interesat partiake kur është në pyetje interesi shtetëror.

Sipas tij, pas zgjedhjeve nacionale ku është parë një rritje e Nismës, sot ky subjekt politik është faktori kyç i stabilitetit dhe funksionimit të institucioneve të Kosovës.

“Kur të jesh në Qeveri duhet të kesh shumë kujdes, duhet të jesh i përgjegjshëm, jo me u kthyer në arrogantë por me ulë kokën dhe me punuar mirë për vendin tonë. Kjo këtu ku kemi ardhur është një rezultat i një pune të përbashkët, ne nuk jemi ardhur në qeverisjen e Kosovës me premtime dhe mashtrime dhe dëshmia më e mirë se mundësh me i arrit objektivat pa premtime dhe mashtrime është Nisma për Kosovën, ne i kemi arritur objektivat tona duke mos premtuar dhe mashtruar njerëz dhe tani duam që ky fuqizim i Nismës për Kosovën të zgjerohet në çdo komunë dhe zëri jonë të jetë në çdo asamble komunale. Zakonisht unë them janë dy kampe, një kamp që nuk di tjetër përveç premtimeve mashtruese që fatkeqësisht është edhe në Istog dhe kampi tjetër që di veç të thotë se krejt çka është ndërtuar deri sot duhet të rrënohet, asnjëra prej tyre nuk ofron perspektivë për vendin”, tha Limaj, raporton kp.

Limaj ka shtuar se forcat e reja të Nismës duhet të mobilizohen dhe të jenë në Kuvendin Komunal të Istogut, në mënyrë që të përfaqësojnë njerëzit e varfër, punëtorët që iu bëhet e padrejtë në vendet e punës, pensionistët, bujkun, të rinjtë e papunë dhe të shkolluarit që bredhin rrugëve.

“Nuk ka asgjë më të shenjët dhe më të ndershme se sa me qenë zë i Vrellës, i banorëve aty, i një pensioneri, i një plaku, i një burri, i një familje që është me ndihmë sociale e që veç barnat për shërim nuk ia përmbushin nevojat ajo ndihmë që e merr nga Enti Social, a di çka do të thotë kur ju i mbështetni dhe bëheni zëri i të pafuqishmëve, i atyre që nuk kanë mundësi, i atyre që zëri i tyre kurrë nuk iu arrin as deri në Parlamentin e Istogut, nuk po flas për Parlamentin e Kosovës”, tha Limaj.

Kurse, Musa Fetahaj, bartës i listës së asamblistëve të Nismës për Istogun, duke u fokusuar në raportin e auditorit dhe gjendjen në terren, tha se është konkluzion i përgjithshëm që asnjë drejtori nuk ka punuar si duhet dhe se prokuroria duhet të merret me parregullsitë.

“Edhe një temë tjetër që kohëve të fundit po përmendet shumë, blerja e votës, po na vinë informacione të lloj-llojshme se për një votë po japin kaq apo aq, ne si Nisma themelet i kemi të shëndosha, i kemi të bazuara në punë, i kemi në ndershmëri dhe në social-demokraci, mbi të gjitha themelet tona janë në vullnetin e të rinjve dhe të rejave”, tha ai.

Ai u ka thënë kandidatëve për asamble komunale që duhet të tregohet e vërteta e keqpërdorimeve nga qeverisja aktuale, si angazhimi i tyre për një qeverisje të afërt me qytetarin.