Veseli: Vehapi pionier i reformimit të bujqësisë në Kosovë

Veseli: Vehapi pionier i reformimit të bujqësisë në Kosovë

08 tetor 2017 13:46

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe kandidati i PDK-së për kryetar të Rahovecit, Idriz Vehapi sot vizituan Bodrumin e Vjetër “Haxhijaha” në Rahovec.

Me këtë rast Veseli tha se ka prodhimtari të verës e cila është një kulturë e lashtë dhe kjo është historia e kombit shqiptar.

Sipas tij, janë prodhuesit më kualitativ në Republikën e Kosovës me verën më cilësore që konkurrojnë edhe në tregun botëror. Ai ofroi mbështetjen për këta prodhues, për të cilët thotë se është krenar. Në të njëjtën kohë Veseli premtoi edhe rritje të subvencioneve për vreshtarët dhe verëtarët, sepse sipas tij, është interes nacional.

Ndërsa kryetarin aktual të Rahovecit Idriz Vehapi, Veseli e ka quajtur pionier të bujqësisë.

“Kosova ka Zot dhe ka perspektivë, e perspektiva më e fuqishme janë këta ndërmarrës të cilët do t’i përkrahim së bashku edhe me kryetarin Idriz Vehapi, i cili ka qenë avokat që nga dita e parë. Kryetari aktual Idriz Vehapi është pionier i transformimit industrial të bujqësisë në Republikën e Kosovës ku ka qenë ministër i Bujqësisë, duke qenë afër këtyre bujqve të vyeshëm dhe do të vazhdon në këtë mënyrë edhe si kryetar i komunës”, tha Veseli.

Ky bodrum ka interesim të jetë në tregun e Kinës, për çka Veseli tha se kanë biseduar me Konsullatën kineze, dhe tashmë kanë filluar bisedime me “Haxhijaha”, dhe kompani rahoveciane për të hapur perspektivën.

Ai premtoi se do të largohen të gjitha barrierat në mënyrë që prodhimet kosovare të plasohen jashtë vendit, duke i përkrahur prodhuesit vendor.

Kandidati për kryetar të Rahovecit Idriz Vehapi deklaroi se ndihet i privilegjuar që është udhëheqës i kësaj komune dhe premtoi se do të ketë lehtësira për prodhuesit e verarisë dhe vreshtarisë për plasimin e produkteve të tyre në tregjet e huaja.

“Kërkoi që këtyre njerëzve të vyeshëm me mundësitë që i ka shteti i Kosovës t’ju del në ndihmë dhe mundësisht të hiqen të gjitha ato barriera të cilat e pengojnë prodhimin dhe pasimin e këtyre prodhimeve tona magjike në tregun e jashtëm”, potencoi Vehapi.

Halim Haxhijaha, përfaqësues i kompanisë “Haxhijaha”, tha se problemet e tyre në këtë kompani kanë filluar të zgjidhen nga komuna dhe shteti, transmeton kp. 

“I treguam kryetarit për punën tonë sa i përket organizmit dhe pajisjeve teknologjike që janë bërë. Kështu që kemi disa shqetësime, të cilat veç po vazhdojnë me u zgjidh”, u shpreh Haxhijaha.

Veseli me bashkëpunëtor ka bashkëbiseduar edhe me punonjës të kësaj fabrike dhe ka parë për së afërmi zhvillimin dhe prodhimtarinë e verës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme