Zgjedhjet lokale

Elshani: I hyra luftës për drejtësi në Istog

Iniciativa qytetare “Të pavarurit e Istogut”, ka mbajtur tubim zgjedhor në këtë qytet, ku janë prezantuar 15 kandidatët për asamblenë komunale, të prirë nga kandidati i pavarur për kryetar të Istogut, Arif Elshani, i cili ka kërkuar votën për ndryshim në zhvillimin ekonomik, shëndetësi dhe arsim.

Elshani tha se dëshiron ta ndryshojë Istogun duke filluar nga shëndetësia, kultura, zhvillimi dhe të gjitha lëmit që në komunën e Istogut po ngecin.

Ai tha se ka marrë një barrë të madhe që ta udhëheq Istogun bashkë me të rinjtë dhe qytetarët tjerë.

“Unë kam hy një luftë për drejtësi, kjo është që të gjithë të jemi të barabartë dhe të drejt dhe të gjithëve të na jepet mundësia për punësim dhe mos të bëhet tenderomania vetëm për grupet e caktuara. Gjatë muajit të parë të gjitha gjërat do të ndryshojnë pasi ne jemi të pa korruptuar, ne nuk kemi nepotizëm, ne jemi njerëzit më të drejt që do t’i japim Istogut”, ka thënë ai.

Ai ka ftuar qytetarët që ta ndryshojnë Istogun për fëmijët.

“Ne kemi 427 lindje në vit, ata nuk e dinë ku e kanë perspektivën, nga mjetet e dedikuara për qytetarët tonë ne në shëndetësi i qojmë vetëm 200 mijë euro, 3 milionë e gjysmë i dërgojmë nëpër male, 100 mijë për arsim, çka mund të bëjmë me 100 mijë në arsim, nuk na intereson të kemi një arsim të denjë”, tha ai.

Në emër të të gjithë kandidatëve, kandidatja Eljesa Osmanaj ka deklaruar se i kanë hyrë një reforme që qeverisja aktuale e ka refuzuar, duke shkatërruar këtë qytet.

“Qyteti pothuajse ka vdekur, ekonomia dhe varfëria po shtohen, kujdesi shëndetësor është i kushtueshëm, shkollat po dështojnë fal udhëheqjes që ne sjellim. Të gjitha këto po ndodhin për shkak të dështimit tonë si kolektiv për të bërë zgjedhjen e duhur. Gjithçka që ne shohim është etje për pushtet, nënshtrim ndaj autoritetit, interesave egoiste. Një demokracie të edukuar i nevojitet pjekuri dhe disiplinë, jemi një vend i vogël, ka ardhur koha për ta zgjedhur historinë tonë”, ka thënë ajo.