Zgjedhjet lokale

Haradinaj: Ka ardhur ora e AAK-së për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve

Kryeministri, njëherësh edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj sot në Pejë ka nënshkruar marrëveshjet për fillimin e zotimit me kandidatët e AAK-së për kryetarë të komunave në Konventën e parë.

Haradinaj tha se prej kandidatëve të AAK-së pret që kur të marrin detyrat e tyre qeverisëse, jo më pak se puna që bëhet në Qeveri.

Ai tha se ka ardhur ora e AAK-së, “s’ka më ankesa dhe s’ka më vend për t’u ankuar, por për me i zgjidhë ankesat dhe problemet e qytetarëve”. Sipas tij, Peja është djepi i ekonomisë së Kosovës, dhe me qeverisjen e tij asnjë qytet nuk do të mbetet anash, raporton KP.

“Puna ime si kryeministër do të koordinohet ngushtë me punën e juaj, si kryetar komunash. Ju dhe për mes jush edhe unë do t’i dëgjojmë hallet e secilit qytetarë, në secilën qoshe të Kosovës. Askush nuk duhet me mbetur i pa dëgjuar, nuk ka pikëllim më të madh për qytetarin për atë që jetojnë në skamje, për atë që është i papunë se sa mos t’i dëgjohet zëri i tij. Unë bashkë me ju, ndoshta nuk do të mund ti zgjidhim të gjitha problemet brenda një muaj, por ne do të punojmë që me i zgjidhur ato që janë më të rënda, më urgjent menjëherë”, tha Haradinaj.

Ai ka folur edhe për sundim të ligjit, për arsim dhe për ekonomi e që sipas tij duhet angazhim për përmirësim ose që të krahasohet me vendet e rajonit.

Haradinaj tha se buxheti i shtetit do të rritet çdo ditë, por jo duke rritë taksa, por duke rritë ekonominë. Kryeministri premtoi se do t’i rrisin pagat dhe investimet kapitale në Kosovë.

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, tha se kanë hyrë në garën zgjedhore për ta ndryshuar të tashmen për hir të së ardhmes. Ai tha se këtu në Pejë po vejnë themelin e qeverisjes së ardhshme për komunat e Kosovës me Aleancë, me frymën e ndryshimit që ka ardhur, me kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Kjo rrugë drejt qeverisjes në komunat e Kosovës është rruga e kthimit të shpresës e perspektivës së qytetarëve, udhë e madhe e zhvillimit dhe mirëqenies. Ndryshimi po nisë në çdo komunë dhe të gjithë sot zotohemi se do të përmbushim me nderë dhe me respektin për qytetarin e komunës, obligimet e marra për gjatë gjithë kësaj gare”, tha Vllahiu.

Kandidati për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi, tha se 22 tetori po ofrohet dhe bashkë me të edhe dita e ndryshimit të madh për Kosovën, komunat e saj, edhe për Pejën. Qeveria e Kosovës me kryeministër Ramush Haradinaj, sipas Gashit do të kthej vëmendjen e humbur qeveritare nga rrafshi i Dukagjinit në shtrirje të barabartë të munguar deri më tash edhe nga Peja.

“Qeveria Haradinaj po dëshmohet se është një Qeveri e vendimeve të mëdha dhe me këtë kuadër po rikujtoj vetëm tri pika që ndërlidhen me zonën tonë: ndarja e mjeteve për vazhdimin e rrugës Pejë – Prishtinë, zgjidhja e problemit të rrugës së Peklenës, Komisioni i ri për Demarkacionin, këto janë tri efektet e para për tri javë punë të kryeministrit. Andaj, ajo që ketë ditë po kërkojmë derë më derë, shtëpi me shtëpi, është vota për qeverisjen e re komunale për një ndërlidhje mes qytetarit dhe pushteteve dhe një funksionim pa korrupsion. Peja sot është keq, qeverisja ne Pejë karakterizohet me tenderamani, qeverisja sot në Pejë e ka humbur kuptimin dhe efektin në shërbim të qytetarit”, theksoi Gashi.

Kandidati për kryetar të Pejës premtoi zhvillim ekonomik, për turizëm, për bujqësi e blegtori dhe punësim për qytetarët pejanë.