Zgjedhjet lokale

Bytyqi u premton të rinjve në Prishtinë kartela ku nga shërbimet publike kanë 30 për qind zbritje

Nisma për Kosovë në takimin elektoral që ka zhvilluar sonte me të rinjtë në Prishtinë, u ka premtuar kushte më të mira për biznes si dhe pajisjen e të rinjve me kartela, për të përfituar 30 për qind zbritje në shërbimet publike.

Në takimin ku u prezantuan kandidatët për Asamble Komunale dhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Shyqiri Bytyqi, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj u ka dhënë këshilla të rinjve si të edukohen politikisht dhe si të ngritën në aspektin intelektual dhe njerëzor.

“Unë mendoj që për djemtë dhe vajzat e reja, para se të merren me politikën e madhe që këta djemtë e rinj tanë duan të merren menjëherë me politikën e madhe me vendim të madh, si këto bisedimet Kosovë-Serbi që po bëhen. Është edukimi politik, edukimi njerëzor, komunikimi, jeta sociale, aftësia për ta dëgjuar tjetrin, me mësua me kritiku e mos të prishet fytyra, të pranojë kritikën si mësim, si mundësi, për t’u korrigjuar në vetvete, aftësia për të dëgjuar deri në fund mendimin që nuk pajtohesh”, tha Limaj, transmeton ksp.

Kandidati i Nismës për kryetar të Prishtinës, Shyqiri Bytyqi ka theksuar se zotimi i tyre është se çdo tre fshatra do ta kenë një qendër rinore. Ai po ashtu premtoi se edhe Prishtina do të ketë qendër rinore.

“Përveç kësaj ne si politikë social-demokrate, pasi që jemi e kësaj fryme, për të rinjtë do të krijojmë edhe lehtësira, çdo i ri i cili është në fazën e studimeve në Prishtinë, do të pajiset me kartelën të cilat shërbimet publike do t’i marrin me çmime 30% më lirë se sa që janë me çmime të rregullta. Por jo vetëm shërbimet publike, por unë besoj që ne në bashkëpunim me bizneset private që jam i sigurt që do t’ia dalim, që të bisedojmë ë të bëjmë marrëveshje që edhe në bizneset private, të rinjtë tanë, pra studentet tanë të kenë mundësi që të pajisen me produkte të ndryshme, që i duhen të rinjve e ne veçanti të librave që të kenë një çmim 30% më lirë se sa që është vlera e tregut”, u shpreh Bytyqi.

Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, theksoi se ka ardhur koha për një arsim cilësor në vend, ndërsa shtoi se do t’u krijohen kushte të mira ndërmarrësve të rinj, që biznesin e tyre ta realizojnë pa e pasur dorën te pushteti.

“Unë besoj që nuk ka projekt me te rëndësishëm për vendin se sa t’iu krijojmë kushte bizneseve, t’iu krijojmë kushte ndërmarrësve të rinj, që bizneset e tyre, angazhimin e tyre ta realizojmë pa e pasur dorën të pushtetet, apo të ndonjë dore të zgjatur në emër të pushtetit për të penguar në realizmin e projekteve apo të aktiviteteve biznesore tyre”, tha ai.