Totaj u premton studentëve bursa studimore dhe transport urban falas

Totaj u premton studentëve bursa studimore dhe transport urban falas

07 tetor 2017 20:30

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga PDK, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga zv. kryeministri Enver Hoxhaj dhe ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, takuan një grup të rinjsh të Prizrenit, ku edhe paraqiti pikat me interes për të rinjtë, të cilat do të realizohen gjatë mandatit të tij katërvjeçar, në qeverisjen lokale.

Totaj siguroi se përveç rritjes së numrit të bursave për studentët, do t’u ipen bursa të gjithë studentëve të drejtimit të Teknologjisë Informative dhe po ashtu transporti publik urban do të jetë falas për të gjithë studentët e Prizrenit.

Ai shpalosi edhe prioritetet e tjera për rininë, ku do të investohet në Qendra Rinore Inovative, organizimit të garave për biznes-plane dhe investime në infrastrukturën sportive, tema këto me interes të veçantë për rininë, shkruan KP.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, para të pranishmëve garantoi se projektet që kanë të bëjnë me rininë dhe që iniciohen direkt nga kryetari i ardhshëm i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, apo edhe nga grupet e të rinjve të Prizrenit, do të kenë përkrahje nga ministria që ai e drejton.

Të rinjtë, nga ana tjetër, u shprehën të entuziazmuar nga platforma qeverisëse e kryetarit të ardhshëm të komunës, Shaqir Totaj, meqë është i vetmi program politik në Prizren që i siguron rinisë mundësi avancimi dhe hapje të vendeve të reja të punës. Ata, njëzëri siguruan kryetarin Totaj, se do të jenë përkrah tij dhe vizionit të PDK-së, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ku do të përkrahin numrin 94.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme