VV në Rimanishtë flet për zotimet e tyre

VV në Rimanishtë flet për zotimet e tyre

07 tetor 2017 19:18

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me Kryetarin e Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë, Ylli Hoxhën, mbajtën sonte tubim me banorët e fshatit Rimanishtë.

Në fjalën e tij të rastit, Ahmeti tha se Rimanishta, edhe pse fshat i skajshëm i Prishtinës, ka parë për së afërmi mënyrën se si qeverisë Vetëvendosje, duke i orientuar investimet edhe në këtë fshat sipas kërkesave të vetë banorëve.

“Investimet infrastrukturore dhe ato në Qendër të Mjekësisë Familjare janë bërë edhe në Rimanishtë. Për rrugën Rimanishtë-Siqeve veç jemi në procedurë, dhe shumë shpejt do të vazhdohet përpara. Ne i trajtojmë qytetarët si të barabartë. Kërkesat tuaja na ndihmojnë neve në orientim të barabartë të investimeve. Zotimet tona për mandatin e radhës, janë të bazuara në nevojat e lagjeve dhe fshatrave të Prishtinës”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë, Yll Hoxha, tha se rezultatet e 11 qershorit duhet t’i konfirmojmë dhe t’i rrisim tutje, duke fituar kështu qysh në raund të parë për Kryetar Komunë, dhe duke e marrë shumicën edhe në Kuvend Komunal.

“Është rast i rrallë në politikën shqiptare që një subjekt politik del me zotime në zgjedhje, dhe në fund të mandatit jep llogari për secilën prej tyre. Thamë që i realizuam 11 nga 12 zotimet, dhe zotimin e fundit na e bllokuan në Kuvend Komunal. Për këtë, qysh në fillim të mandatit të radhës, me Kuvend Komunal që është krah i Prishtinës, do ta kalojmë edhe zotimin që ka mbetur, dhe do të vazhdojmë me 100 zotimet e mandatit të dytë”, tha ndër të tjera Ylli Hoxha.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme