Zgjedhjet lokale

LDK e Dragashit e bindur në fitore më 22 tetor

Kandidati për kryetar të komunës së Dragashit nga LDK, Selim Kryeziu, ka shpalosur të dielën programin qeverisës gjatë një tubimi ku janë prezantuar edhe kandidatët e kësaj partie për Asamble Komunale.

Kryeziu ka thënë se qytetarët e Dragashit janë përgatitur për fitoren e LDK-së në zgjedhjet lokale, që më 22 tetor, pa pasur nevojë për balotazh, duke shtuar se qeverisja e deritanishme ka dështuar tërësisht dhe Dragashi ka mbetur prapa nga keqqeverisja e tyre.

“Ne kemi plan të realizueshëm. Plani ynë është i mundshëm dhe i bazuar në resurset që kemi në dispozicion”, ka thënë Kryeziu, duke premtuar zgjidhjen e problemit të ujit për çka ekipi i tij ka planifikuar investimin e mbi 2 milionë eurove. Po ashtu ai ka premtuar edhe zgjidhjen e problemit të kanalizimit dhe të ujërave të zeza, si parakushte për ruajtjen e ambientit të pastër në këtë komunë dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të turizmit.

“Për bujqësinë, përkatësisht blegtorinë, do të ndajmë subvencione shtesë dhe konsulencë për blegtorët dhe bujqit për përgatitjen e dokumentacionit për aplikim për grante të qeverisë qendrore”, ka thënë Kryeziu. Ai ka premtuar edhe rregullimin e rrugëve malore, për të siguruar qasje normale banorëve si dhe zhvillimin e turizmit.

“Qeveria e ardhshme lokale do të ndajë bursa për studentë. Do t’i paguajmë praktikantët që kryejnë studimet. Do të zgjidhim edhe problemin e mungesës së kuadrove për disa drejtime specifike”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Selim Kryeziu.

Ai dhe qeverisja e LDK-së kanë premtuar ringjalljen e jetës kulturore të Dragashit si dhe përfundimin e projektit të stadiumit të Dragashit, të cilën qeverisja në largim ka dështuar ta rregullojë, përkundër faktit se ai projekt ka qenë i financuar.

Kryeziu ka premtuar Qendra të Mjekësisë Familjare atje ku ka nevojë dhe shtim të cilësisë së shërbimeve mjekësore për qytetarët e Dragashit.

“Duke u bazuar në modelin e qeverisë qendrore të LDK do të vendosim disiplinë financiare. Shumat marramendëse të shpenzuara nga qeverisja në largim për naftë, mirëmbajtje të veturave, për të paguar gjobat e policisë dhe gjobat e gjykatave, do të marrin fund”, ka thënë Kryeziu, i cili ka kërkuar që krahas tij si kandidat për kryetar të komunës, qytetarët e Dragashit, më 22 tetor të votojnë edhe kandidatët e LDK-së për Këshilltarë Komunalë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se kandidati për kryetar të komunës, Selim Kryeziu do të fitojë që në raundin e parë, ndërsa ka ftuar qytetarët e Dragashit të mobilizohen për ta thelluar fitoren e LDK-së në raport me konkurrentët tjerë.

“Në Dragash puna duhet të fillojë më 23 tetor. LDK është e interesuar t’i kontribuojë zhvillimit të saj. Askush sikurse LDK e drejtuar nga Ibrahim Rugova nuk ka ditur të përmbushë kërkesat e qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Askush më mirë se LDK-ja e sotme nuk di të përmbushë kërkesën e qytetarëve të Kosovës për zhvillim dhe integrim”, ka thënë Mustafa.

Këto synime, sipas Mustafës, për qytetarët e Dragashit i realizon Selim Kryeziu, dhe për komunat tjera kandidatët tjerë të LDK-së në të gjitha komunat e Kosovës. “Sepse kemi kandidatët më të mirë për kryetar komunash dhe kandidatët më të mirë për Asambletë e Komunave tona. Ne kemi treguar si qeveriset me duar të pastra. E vetmja qeveri pa skandale korrupsioni është qeverisja e LDK-së. Edhe qeverisjet e LDK-së nëpër komunat e Kosovës janë model i qeverisjes së pastër dhe të përgjegjshme”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se me moton Lidhja “ne kemi përmbledhur Lidhjen si LDK edhe si lidhje mes nesh, qytetarëve të Kosovës, duke shtuar sinergjinë tonë për të punuar për ta zhvilluar Kosovën tonë”.