Zgjedhjet lokale

Mustafa: Ahmeti në panik, ka si armë propagandën dhe mashtrimin

Descriptive Text

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka quajtur gënjeshtër publike dhe pa kripë akuzën e kryetarit të Prishtinës dhe kandidatit të VV-së edhe për një mandat, Shpend Ahmeti, se partia e tij dhe PDK-ja janë bërë bashkë kundër VV-së.

Ish-kryeministri i Kosovës në një postim në Facebook, ka shkruar se, Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja kanë histori bashkëpunimi kundër partisë të cilën ai drejton. Për këtë bashkëpunim Mustafa ka përmendur dy raste.

“Vetëvendosje me PDK-në kanë histori bashkëpunimi kundër LDK-së. Kemi dhjetëra fakte, ndërsa po i përmendi dy.
1. Në vitin 2013 Shpendi shkoj në balotazh me 9,300 vota më pak. Vetëvendosja bëri koalicion të fshehur dhe i bashkoi votat me PDK dhe e përmbysën rezultatin.

2. Në vitin 2017, Vetëvendosje u bashkua me PDK-në, Lista Serbe, AAK dhe gjithë të tjerët; u bënë bashkë dhe e rrezuan qeverinë e drejtuar nga LDK. Ata nuk duronin sukseset tona, 2 miliard buxhet, rritje ekonomike mbi 4%, çkapje të Doganave dhe ATK që i sollën buxhetit 400 milionë më shumë të hyra, 40 mijë vende të reja pune të regjistruara në Trustin e Kursimeve Pensionale, hapjen dhe luftimin e aferave të pasaportave, ZMobile, Axoc etj”, ka shkruar Mustafa.
 

Mustafa ka akuzuar Ahmetin se nga paniku për mospërmbushjen e asnjë premtimi në Prishtinë, ka filluar të përdorë propagandën dhe mashtrimin.

“Me gënjeshtra publike nuk mbulohet e vërteta. I kapur nga panika përballë mediave dhe qytetarëve për mospërmbushjen e asnjë premtimi, dhe mosrealizimin e asnjë projekti, Shpendi ka lansuar armën e tij të vetme, propagandën dhe mashtrimin”, ka shkruar Mustafa.

“Besoj në kulturën politike të qytetarëve të Prishtinës. Ata nuk e vlerësojnë fjalamaninë por shikojnë mungesën e projekteve konkrete në kryeqytet. Shpendi do të mbahet mend edhe për diçka, është kryetari i parë i Prishtinë që ka diskriminuar banorët dhe kuadrot e qytetit të tij në punësim për të kënaqur apetitet e Vetëvendosjes, duke paguar 2 milionë euro në vit pagat e tyre me kontrata të paligjshme”, ka shtuar ai.

“Koha kur kuadrot e Prishtinës diskriminohen do të marrë fund më 22 tetor me fitoren e Arban Abrashit në Prishtinë dhe kandidatëve tonë në shumicën e komunave”.