Pacolli thotë se çdo lagje në Prishtinë do ketë linjë të veçantë të transportit publik

Pacolli thotë se çdo lagje në Prishtinë do ketë linjë të veçantë të transportit publik

06 tetor 2017 17:44

Në vazhdën e takimeve me qytetarë dhe subjekte të ndryshme në Prishtinë, Selim Pacolli kandidat i Aleancës Kosova e Re, me përfaqësues të kompanisë së transportit “24 Yjet”, diskutoi dhe shpalosi programin e tij për zgjidhjen e kaosit në trafik.

Pacolli gjatë këtij takimi theksoi se është për keqardhje që nuk po shfrytëzohen mundësitë e bashkëpunimit mes kompanive private dhe institucioneve komunale. Sipas Pacollit, përmes një bashkëpunimi më të ngushtë mes komunës dhe kompanive private, dhe veçmas përmes partneritetit publiko privat, shumë probleme me të cilat po përballen qytetarët do të zgjidheshin.

Para përfaqësueseve të kësaj kompanie dhe qytetarëve të interesuar në përmirësimin e transportit publik, Pacolli premtoi që problemi i pengimit të operimit të tyre si pasojë e gropave, mungesës së infrastrukturës së duhur në stacione, problemet me licencim, dhe probleme të ngjashme, në qeverisjen e tij me komunë do t’i takojnë të kaluarës.

Kandidati i Aleancës Kosova e Re për Kryetar të Prishtinës premtoi që nuk do të këtë lagje apo lokacion të Prishtinës pa linjë të veçantë të transportit publik, dhe se praktika e përkrahjes së grupeve të përjashtuara të cilën e ka aplikuar kompania “24 Yjet” do të gjejë përkrahje institucionale dhe financiare.

Pacolli premtoi që studentët, pensionistët dhe personat me nevoja të veçanta do të lirohen nga pagesa për shfrytëzimin e shërbimit të transportit publik.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme