Imri Ahmeti
Kryetari aktual i Lipjanit nga radhët e LDK-së dhe kandidat edhe për një mandat, ka lindur dhe është rritur në fshatin Torinë. Është diplomuar në UP - Drejtimi Juridik. Ishte deputet në Kuvendin e Kosovës para se të zgjidhej kryetar komune. Ka ushtruar edhe funksionin e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Një periudhë të punës së tij ka ushtruar funksionin e këshilltarit të lartë politik në kabinetin e zv.kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në kabinetin e presidentit të Kosovës ka ushtruar funksionin e këshilltarit politik për çështje të pushtetit lokal. Ai programin e tij për qeverisjen e ardhshme më së shumti e ka fokusuar për zhvillimin ekonomik, derisa në mandatin e kaluar kishte vendosur themele strategjike të zhvillimit ekonomik duke u nisur nga krijimi i një baze të qartë ligjore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, pastaj duke e miratuar Strategjinë e zhvillimit ekonomik të Komunës. Ndërkohë kanë marrë të gjitha veprimet për përcaktimin dhe destinimin e zonave ekonomike si dhe kanë përgatitur dokumentet për rregullimet zonale të këtyre hapësirave. Ka sqaruar se kanë hequr të gjitha taksat për leje pune dhe kanë rishikuar aktet e natyrës administrative me qëllim të krijimit të lehtësirave ndaj bizneseve. “Objektivat themelore për zhvillimin ekonomik në 4 vjet janë: mbështetja e zhvillimit ekonomik mbi bazën e resurseve natyrore, bujqësore dhe industriale; rritja e investimeve buxhetore në këto fusha, si dhe përfitimi nga pozita gjeostrategjike e Komunës për inkurajimin e investitorëve dhe koncentrimin e bizneseve në zonat e licencuara ekonomike dhe në zonat e tjera të cilat do të përcaktohen si zona ekonomike. Kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje dhe lehtësi në taksat komunale dhe shërbime administrative për biznese që themelohen dhe operojnë në Komunën tonë, të cilat hapin vende të reja pune”, ka thënë Ahmeti. “Mbështetje do t’i bëhet sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë duke ngritur fondin për subvencione çdo vit. Sipas Strategjisë së zhvillimit ekonomik, pos rritjes së investimeve kapitale, orientimi i tyre strategjik do të bëhet në realizimin e projekteve të lidhura me zhvillimin ekonomik. Do të përcaktohen 2 zona të reja ekonomike në Banullë dhe Babush, licencimin e tyre, rregullimin zonal dhe ndërtimin e infrastrukturës publike, do të themelohet Njësia e zyrës për bashkëpunim me investitorë në funksion të zhvillimit ekonomik, rritjen e cilësisë në arsim, shëndetësi, kulturë, rini, sport etj.
Ismet Hajrullahu
Kandidati i PDK-së, ka lindur në Banullë, ndërkohë ka mbaruar studimet e larta për histori dhe ka mbaruar studimet pasuniversitare në drejtimin:marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci. Gjatë viteve 2007-2010 ishte kryeredaktor i gazetës “Lajm”. Nga viti 2007 deri më 2013 ishte këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 punon si profesor në universitetin “Iliria” në Prishtinë. Është autor i disa shkrimeve analitike në gazeta të ndryshme,si dhe opinionit në mediat vizuale në Kosovë e Shqipëri. Ai ka thënë se platforma e tij për Lipjanin garanton një koncept të ri të politikës qeverisëse, i cili koncept ia kthen dinjitetin qytetarit të Komunës për të jetuar dhe vepruar sipas bindjeve të tij ideologjike e politike. “Platforma jonë qeverisëse i garanton secilit qytetar, i cili ka guximin, ka dijen, ka vullnetin e dëshirën për të kontribuar në ndryshimin e madh qeverisës, i cili ndryshim do të reflektojë në secilën shtresë shoqërore. Lipjanasit duhet t’i bashkohen platformës sonë për një arsim cilësor, për një shërbim shëndetësor të dinjitetshëm, për një mundësi punësimi, për një shërbim cilësor publik, për një rini të shëndoshë e me perspektivë, për një shoqëri të papolitizuar e shantazhuar”, ka thënë Hajrullahu. Sipas tij, shkollat mesme do të orientohen fuqishëm në përgatitjen kuadrove në përputhje me tregun dhe nevojat për punësim, të financuara dhe administruara në partneritet me komunitetin biznesit, duke harmonizuar politikat zhvillimore me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së punësimit. “Do ta bëjmë kompletimin e shkollave me pajisje shkollore, biblioteka, materiale didaktike dhe me laboratorët më kryesorë të shkencave natyrore, pastaj do ta bëjmë kompletimin e shkollave me të gjitha pajisjet”, ka thënë Hajrullahu. Ai ka shtuar se Komuna do të angazhohet të sigurojë qasje në shërbimet e nevojshme shëndetësore pa pësuar vështirësi financiare. “Do ta bëjmë riorganizimin e punës brenda QKMF-së në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore, transparenca dhe llogaridhënia do të jenë maksimale në QKMF dhe në të gjitha QMF-të e Komunës. Të gjitha institucionet shëndetësore publike do të jenë të furnizuara me barna 100 për qind. Pastaj rritja e numrit të analizave laboratorike dhe përdorimi racional nga mjeku përmes bordit profesional”, ka thënë ai.
Fitim Selimi
Garon për kryetar të Lipjanit nga AAK-ja. Që nga viti 2013, subjekti i tij ishte në koalicion me LDK-në për ta mbajtur pozitën e nënkryetarit të Komunës, ndërkaq në fillim të këtij viti këtij koalicioni i ka dhënë fund. Selimi ka lindur në fshatin Banullë të Lipjanit, ndërkohë ka kryer studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Me fillimin e lëvizjeve të armatosura për çlirim, angazhohet në radhët e UÇK-së, fillimisht si gjithë ushtarët, për t’u profilizuar në drejtimin e institucioneve shëndetësore në kuadër të UÇK-së. Në këtë kohë kryen funksionin e shefit të sektorit të shëndetësisë për brigadën 121 “Kumanova”, pastaj edhe funksionin e përgjegjësit të sektorit të shëndetësisë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Në mbarim të luftës çlirimtare më 1999 angazhohet në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës në funksionin e drejtorit të Drejtorisë së Spitaleve. Më 2000 në kuadër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës, emërohet në cilësinë e drejtorit për shëndetësi në rajonin e Prishtinës. Ai si orientim programor për qeverisjen 4-vjeçare do ta këtë përmirësimin e gjendjes në terren dhe në qasjen profesionale për të vendosur menaxhim të përshtatshëm mbi zhvillimet e jetës në këtë terren, duke bërë harmonizim me politikat efektive të përgjithshme aktuale dhe njëherësh duke dhënë kontribut në korrigjimin e politikave joefektive të përgjithshme të deritashme. “Mospërputhshmëria e aspekteve legjislative me gjendjen në terren, si dhe mungesa e akteve të shumta rregulluese për funksionim normal të jetës institucionale në pushtetin vendor do të jetë brengë dhe veprim bazik për rregullimin e gjendjes në administrimin e pushteti lokal në Lipjan. Do të ndërtojmë departamentin e përfaqësueseve si: bashkimet profesionale, OJQ –të, përfaqësuesit zyrtarë të fshatrave dhe lagjeve, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta, si dhe përfaqësuesit nga diaspora, me qellim të realizimit të parimit të gjithëpërfshirjes në procesin e administrimit me Komunën”, ka thënë Selimi. Dhe ka shtuar: “Do të krijohen lehtësi në bërjen e biznesit dhe transparencë në vendimmarrje, në procedurat e prokurimit, të rekrutimit të stafit, disiplina financiare, menaxhimi i drejtë me paranë dhe pasurinë publike do të jenë synime me rëndësi parësore në funksionimin e institucioneve. Gjithashtu do të bëjmë reformim në mënyrë të menaxhimit në arsim dhe shëndetësi si edhe rishqyrtim të rrjetit të institucioneve përkatëse. Kujdes i veçantë do t’i kushtohet infrastrukturës dhe shërbimeve publike”, ka theksuar ai.
Heset Sahiti
Aktualisht është drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Lipjanit. Pas luftës së UÇK-së ka qenë kryetar i Lipjanit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës 1999 - 2001. Ai garon sërish për kryetar të Lipjanit nga subjekti Nisma. Është inxhinier i diplomuar i makinerisë dhe me master të shkencave teknike. Që nga viti 1983 e deri më 2013-n, ka punuar si mësimdhënës në Qendrën e Arsimit të Mesëm në Lipjan, si mësimdhënës i lëndëve të makinerisë. Ka qenë pjesëmarrës në demonstratat e rinisë studentore, gjithëpopullore të vitit 1981. Nga ajo kohë aktivisht ka marrë pjesë në Lëvizjen Popullore për Liri dhe Bashkim Kombëtar, në lëvizjen ilegale, LPRK, në shpërndarje dhe lexim të literaturave, librave që silleshin nga Shqipëria dhe shpërndarjen e “Zërit të Kosovës” organ i LPRK-së që nga viti 1982. Më 1993 dënohet me 2 vjet burgim së bashku me 14 të dënuar të tjerë, në grupin e ashtuquajtur “Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës”. Gjatë luftës së fundit në Kosovë ka dhënë kontribut të madh në brigadën 121 “Ismet Jashari – Kumanova” si komandant Togu. Ai në programin zgjedhor për 4 vjetët e ardhshëm ka përfshirë zhvillimin e bujqësisë, pylltarisë dhe turizmit. “Lipjani është nyje komunikatave tregtare, nga kalon autostrada dhe hekurudha, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Sipërfaqja bujqësore është cilësore dhe e përshtatshme për kultivimin e drithërave, pemëve dhe perimeve. Tradita, po ashtu, është një përparësi, sepse Lipjani konsiderohet një vend me traditë për zhvillimin e bujqësisë, prandaj kjo mund të dëshmohet me një numër të madh të kooperativave bujqësore në të kaluarën”, ka thënë Sahiti. Sipas tij, Lipjani ka pasuri pyjore dhe vende atraktive për turizëm. “Këta sektorë deri tashti nuk janë trajtuar sa duhet, këtë e dëshmon edhe buxheti i shpenzuar dhe ai i planifikuar nga Lipjani”, ka thënë ai. “Në konsultat që i kemi pasur me ekspertë kemi ardhur në përfundim se Lipjani zhvillimin ekonomik duhet ta orientojë në zhvillimin e bujqësisë të lidhur me industrinë e përpunimit”, ka thënë ai.
Selatin Ratkoceri
Garon për herë të parë për kryetar të Lipjanit nga Vetëvendosje. Është magjistër i shkencave ekonomike. Ai për 8 vjet ishte profesor i lëndëve ekonomike në Kosovë dhe është i certifikuar si trajner në menaxhim projektesh, kontrollin e administrimit të brendshëm, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, standardet e kontabilitetit dhe tatimet në programe të mbajtura në Vjenë, Romë, Torino, etj. Retkoceri ka qenë kontabilist dhe këshilltar financiar në disa kompani të sektorit privat dhe më herët, gjatë viteve 1990, ka drejtuar Këshillin Komunal për Financim në Lipjan dhe ka qenë anëtar i Këshillit Komunal për Emergjenca. Më 2000 ishte emëruar nënkryetar i Komunës së Lipjanit dhe drejtor i Financave, ndërkohë edhe drejtor i Administratës Publike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Gjatë viteve të fundit ka qenë ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KUR “Prishtina”. Ai për qeverisjen e ardhshme të Komunës ka planifikuar ndryshime pozitive në sektorin e arsimit. “Do ta bëj futjen e konkurrencës ndërmjet shkollave të nivelit të njëjtë, pastaj stimulimi i cilësisë dhe i arritshmërisë dhe destimulimin e cilësisë së dobët në arsim në të gjitha nivelet. Ndryshimi i qasjes ndaj nxënësit, në qendër të vëmendjes së publikut dhe qeverisë duhet të jetë nxënësi e jo mësimdhënësi. Me urgjencë do ta ndryshojmë formën e financimit në arsim”, ka thënë Retkoceri. Sipas tij, politika duhet të heqë dorë nga ndikimi i madh, i qëllimshëm, që është bërë në të kaluarën dhe vazhdon ta bëhet, duke përdorur financat publike. Ka shtuar se përdorimi i parasë publike me qëllim të rritjes së votës është bërë dhe vazhdon të bëhet në tërë Kosovën. “Rreth 20 për qind e votës aktive për një palë zgjedhje lidhet direkt ose indirekt me punëtorët arsimorë, nëse kësaj ia shtojmë edhe keqpërdorimin e nxënësve në pjesëmarrje pasive në votim, duke ndikuar te prindërit e tyre në përcaktimin e votës, mund të konkludojmë se çdo rritje e pagave në prag fushate apo në vitin zgjedhor tregon se kështu bëhet blerja institucionale e votës”, ka thënë Retkoceri. Ai si prioritet e ka vendosur edhe përmirësimin e gjendjes në shëndetësi dhe ngritjen e zhvillimit në bujqësi. “Do të funksionojnë me orar të plotë i gjithë stafi mjekësor në QKMF dhe QMF, do të ketë mbikëqyrje dhe furnizim me pajisje adekuate për të gjithë sektorët etj. Ndërkaq për bujqësi do të kemi rritje të sipërfaqeve bujqësore, do të bëjmë tregun e prodhimeve vendore 6 ditë në javë, do ta bëjmë një program transparent për subvencione në bujqësi etj”, ka thënë ai.
-
6 tetor 2017 14:55
-
Shpërndaje në: