Zgjedhjet lokale

Në Bare të Shalës së Bajgorës do të asfaltohen tri kilometra rrugë

Ashtu sikur parashihej me prioritetet e caktuara më parë dhe dinamikën për kryerjen e punëve, radha për rregullimin e infrastrukturës rrugore i ka ardhur edhe fshatit Bare, qendër kjo e rajonit të Shalës së Bajgorës në Komunën e Mitrovicës.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Besnik Beka edhe gjatë ditës së premte kanë bërë inspektimin e punëve në ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve në këtë fshat.

Gjatë inspektimit të punëve, kryetari Bahtiri ka takuar edhe banorët e fshatit të cilët i shprehën mirënjohje dhe falënderimin e tyre për punët e mira që ka bërë dhe që aktualisht po bënë në këtë fshat.

Ata thanë se nuk kishin pritur që gjatë mandatit të tij të bëhen gjithë këto punë të mira, pasi që pushtetarët e mëparshëm i kishin mashtruar, por në fakt kishin bërë fare pak, për të mos thënë asgjë, ndërsa që vetëm gjatë mandatit të kryetarit Bahtiri është punuar më shumë se në tërë periodën tjetër të pas luftës.

Kryetari Bahtiri u tha fshatarëve të Bares, se që kur ka ardhur në pushtet, ka pasur prioritet kujdesin e shtuar dhe zhvillimin e rajonit të bukur të Shalës së Bajgorës.

“Ndër prioritetet e mia ka qenë edhe zhvillimi i këtij rajoni, para së gjithash zhvillimi i bujqësisë dhe turizmit. Mirëpo, pa ndërtimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve për një jetë më të mirë të banorëve, vështirë se mund të ketë zhvillim, andaj edhe po investojmë në infrastrukturë, ani pse kemi bërë më shumë se të tjerët edhe në zhvillimin e bujqësisë. Do të vazhdojmë ta kemi si prioritet zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, me qëllim që nga fshatrat e rajonit të Shalës së Bajgorës mos të zhvendosen më banorët, por të kthehen edhe ata që më parë janë zhvendosur”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Aktualisht në Bare janë duke u përgatitur për asfaltim rrugët e lagjeve Ferati, Xhafa etj, në një gjatësi prej rreth tre kilometra, që do të kushtojnë rreth 180.000 euro.

Gjatë vizitës që i bëri Bares, kryetari Bahtiri qëndroi edhe në shtëpinë e në shtëpinë e Çerkin Feratit, i cili i ka dy fëmijë, vajzën dhe djalin të palëvizshëm.

Ferati i tregoi kryetarit Bahtiri për gjendjen e vështirë shëndetësore të fëmijëve dhe për kushtet e rënda ekonomike, si pasojë e së cilës nuk ka mundësi për t’ua ofrua ndihmën e nevojshme mjekësore atyre. Ai i tha se gjendja e djalit është më e rëndë dhe se i duhet shërim jashtë vendit, për çka mjekët i kanë thënë se duhet siguruar shumën prej rreth 100.000 euro, të cilën ai dhe familja e gjerë e tij, si dhe farefisi nuk po mund ta sigurojnë.

Kryetari Bahtiri tha se ndjen dhembje për gjendjen shëndetësore të fëmijëve të Feratit dhe se do të bëj çmos që t’i ndihmoj nga buxheti i Komunës, aq sa lejojnë mundësitë, por edhe do të angazhohet tek donatorët dhe njerëzit bamirës që të ndihmojnë në këtë drejtim. Po ashtu, kai tha se do të rregulloj rrugën deri në shtëpinë e tij, në mënyrë që të ketë më të lehtë ofrimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijët e palëvizshëm.