Abrashi prezanton tri pikat kryesore të programit për rininë

Abrashi prezanton tri pikat kryesore të programit për rininë

05 tetor 2017 16:24

Gjatë një bashkëbisedimi me një grup të rinjsh të kryeqytetit, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar tri pikat kryesore të programit të tij për përkrahjen e të rinjve nëpërmes Fondit të Punësimit.

Ato kanë të bëjnë me dhënien e granteve për ata që përfundojnë shkollimin, subvencionimin e pagave dhe ndërprerjen e praktikës së diskriminimit në punësim të kuadrove të Prishtinës, siç është bërë në katër vitet e shkuara.

“Prioriteti ynë i parë ka të bëjë me punësimin. Ne e dimë se shumë të rinj në Prishtinë kanë probleme të punësimit pas përfundimit të shkollimit. Ideja jonë ka qenë themelimi i Fondit të Punësimit, si një nga shtyllat kryesore, e cila lehtëson procesin e punësimit të të rinjve në Prishtinë. Ne kemi kontaktuar një numër të madh të bizneseve, të cilat kanë shprehur gatishmëri që të jenë pjesë e këtij projekti për fuqizimin e Fondit e Punësimit”, ka thënë Abrashi.

Ai potencoi se të gjithë të rinjtë dhe të porsadiplomuarit që kanë ide të ndryshme kreative, do t'i përkrahim nëpërmes granteve të vogla.

“Pika e dytë është përkrahja e të rinjve për subvencionimin e pagave të tyre prej 6 muaj deri në një vit, derisa ata ta kryejnë praktikën e punës dhe të jenë të aftë për punë. E treta, ne mendojmë se është bërë një diskrimimin me kuadrot e Prishtinës në përgjithësi, pasi që ata janë diskriminuar, ngase prej qindra të punësuarve në administratë, vetëm një pjesë shumë e vogël vjen nga Prishtina”, pohoi Abrashi.

Ai tha se gjatë procesit të punësimit do të kenë prioritet kuadrot e Prishtinës në sektorin publik.

“Do të rrisim numrin e bursave për studentë, në ata sektorë ku tregu i punës në Prishtinë i kërkon. Janë disa fusha deficitare të cilat mendojmë t'i përkrahim, siç është fusha e IT-së”, tha ai.

Sipas tij, vendimmarrja në komunë do të bëhet në konsultim të vazhdueshëm me të rinjtë dhe ata do të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse në kryeqytet.

“Në vitin e parë Fondi i Punësimit do të ketë në disponim 1 milion euro nga buxheti i komunës ndërsa do të rritet në vitet në vijim. Këtë fond do të synojmë ta rrisim nëpërmes përkrahjes nga niveli qendror dhe nga donatorët ndërkombëtarë. Ideja është që t'i financojmë projektet e të rinjve për krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të përkrahim edhe bizneset ekzistuese për zgjerimin e kapaciteteve të tyre”, ka thënë Abrashi.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën ka thënë se me Fondin Punësimit do të përkrahen të gjitha moshat, të cilat kanë humbur vendet e tyre dhe kanë probleme të përfshihen në tregun e punës, nëpërmes riaftësimeve profesionale.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme