Pajaziti premton ta bëjë Zhegrën qendër të rajonit

Pajaziti premton ta bëjë Zhegrën qendër të rajonit

04 tetor 2017 23:10

Nën qeverisjen e Zenun Pajazitit në Gjilan do të krijohen kushte më të mira për jetën e gjilanasve në të gjitha fushat e jetës, pasi që qeverisja aktuale nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe me PDK-në Gjilani do të qeveriset me nder dhe përgjegjësi.

Kështu është thënë në tubimin zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës me qytetarët në Zhegër të komunës së Gjilanit, me ç’rast janë prezantuar kandidatët për asamblistë për Kuvendin Komunal të Gjilanit nga Zhegra, Ruhan Kurteshi dhe Burhan Isufi.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kërkuar nga banorët e Zhegrës përkrahje të fuqishme për Zenun Pajazitin, i cili do të udhëheqë Gjilanin drejt epokës së zhvillimit dhe jo stagnimit, në mënyrë që të jetë një qytet me perspektivë dhe banorët e tij të mos largohen nga aty, transmeton kp.

“Vizioni i PDK-së dhe Zenun Pajazitit është shumë i thjeshtë dhe shumë i afërt me qytetarët, duke u marrë me gjërat të cilat janë aktualisht probleme për Gjilanin dhe të merremi me ato problematika të cilat janë të qytetarëve të Zhegrës dhe fshatrave përreth dhe të kryhen ato çështje. A duhet që akoma Zhegra të ketë një shkollë të mesme, e cila është duke u mbyll, e cila është në moshë 50-vjeçare dhe buzë shkatërrimit. A e meriton këtë Zhegra? Për këtë ju duhet një kryetar i cili është i vendosur që mos me e dërguar shkollën e mesme me u krye në 2020, por ka me ia nis më 2018 dhe të kryhet më 2019, e për këtë e keni Zenun Pajazitin”, ka thënë Veseli.

Kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit nga PDK, Zenun Pajaziti, tha se Zhegra sjell frymën e fitores së kësaj partie dhe ka kërkuar po ashtu mbështetje për asamblistët komunalë nga Zhegra, duke thënë se ata do të përfaqësojnë më së miri interesat e qytetarëve në mandatin e ardhshëm komunal.

“Sonte ne duhet të turpërohemi para të madhit Agim Ramadani nëse themi diçka e nuk e bëjmë. Do të duhej të ishim të turpëruar të gjithë ata që kanë thënë diçka të tillë e nuk e kanë bërë. Gjithçka që kemi bërë bashkë, jemi zotuar bashkë për ta bërë për Zhegrën, për të zhvilluar Zhegrën, me ngrit në një qendër të këtij rajoni do ta bëjmë si PDK dhe asnjëherë nuk do të zmbrapsemi”, ka thënë Pajaziti.

“Këto zgjedhje duhet t’i fitojmë për shkak të Zhegrës, Llashticës, Lladovës, Haxhajve, për shkak të krejt kësaj ane, për shkak të Gjilanit. Nuk duhet Gjilanin ta lëmë në këtë gjendje qysh është braktisur nga kjo qeverisje komunale. Ju ftoj që të mobilizohemi të gjithë ta votojmë numrin 94, PDK-në dhe ju siguroj se nuk do të lëvizim asnjë milimetër prej atyre premtimeve, prej programit që e kemi bërë me njerëzit e PDK-së dhe ekspertët e Gjilanit”, ka thënë Pajaziti.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme