Berisha (nuk) kërkon votën e bashkëluftëtarëve

Berisha (nuk) kërkon votën e bashkëluftëtarëve

04 tetor 2017 13:53

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, i shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga një pjesë e kryesisë dhe disa nga kandidatët për kuvend komunal, vizituan shoqatat e dala nga lufta si, Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e familjeve të dëshmorëve.

Pritja për Zafir Berishen, sipas komunikatës së Nismës, ishte shumë e ngrohtë, “duke u ndjerë si në shtëpinë e tij, marrë parasysh kontributin e tij para, gjatë dhe pas luftës për Kosovën”.

Kjo vizitë e Berishës në këto shoqata evokoi kujtimet e tyre me bashkëluftëtarët.

Zafir Berisha, ndër tjerash, potencoi se “vizitat nëpër këto shoqata, nuk duhet assesi të shfrytëzohen për fushata elektorale dhe nuk dëshiroj që të përdoret emri i luftës në ato vende ku kërkohet vota”.

“Mirëpo sot vizita ime përkon më së shumti me marrjen e një motivimi shtesë nga miqtë dhe shokët e luftës, me të cilët kam ndarë çastet më të paharruara të jetës time. Prandaj jam sot këtu për t’ju rikonfirmuar se jam dhe do të jem gjithmonë me ju dhe falënderoj të gjitha ato familje që kanë dhënë më të shtrenjtit tyre, duke trasuar rrugën e lirisë që po gëzojmë ne sot, prandaj zotohemi se me ardhjen e Nismës dhe meje si kryetar në qeverisje të Prizrenit, jo vetëm që nuk do të mungojë përkrahja për ju, por këto shoqata do të trajtohen në mënyrën më të dinjitetshme”, ka thënë Berisha para të pranishmëve.

Përfaqësuesit e këtyre shoqatave, sipas komunikatës së Nismës, “falënderuan përzemërsisht për vizitën e bërë, duke uruar për një fushatë pa eksese, dhe njëherësh ata që nga sot uruan ardhjen e Zafir Berishës si kryetar të Prizrenit”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme