Zgjedhjet lokale

Latifi: Balotazhin me Vehapin e humba në 2 orët e fundit

Descriptive Text

Kandidati i AAK-së, Smajl Latifi, i cili ka humbur garën për kryetar të Rahovecit në vitin 2013, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se të gjithë qytetarët e kanë ditur se do të kandidojë përsëri, derisa balotazhin me Idris Vehapin e PDK-së e ka humbur gjatë dy orëve të fundit.

Duke folur për synimet e tij në rast se fiton zgjedhjet e 22 tetorit, Latifi, ka thënë se humbja e vitit 2013 ka qenë ndërprerje e padrejtë e punëve të tij si kryetar i Rahovecit.

“Të gjithë e kanë ditur se do të jem kandidat dhe jam i gatshëm të jap maksimumin për qytetarët e Rahovecit. Ka qenë një ndërprerje e padrejtë e përkushtimeve të mia. Unë i kam humbur zgjedhjet në 2 orët e fundit kur isha në balotazh me Idriz Vehapin”, ka thënë Latifi.

Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Latifi ka thënë se gjatë mandatit të tij synon që buxheti për bujqësi të jetë 1 milion euro, derisa ka kritikuar Vehapin, kryetarin aktual të Rahovecit, për mos investim në bujqësi.

“Buxhet 1 milion euro vetëm për bujqësi. 570 mijë euro ishte në vitin 2013. Më tutje vetëm ka shkuar duke u zvogëluar. Sivjet e kemi 414 mijë euro. Është anomali që në qytetin e bujqësisë të mos ketë investime konkrete në bujqësi”, ka thënë Latifi.

“Vehapi po vazhdon të investojë në infrastrukturën rrugore. Me këtë situatë është dashur të merremi deri në vitin 2015”, ka thënë veç të tjerash ai.