Çfarë e këshillon Behgjet Pacolli të vëllanë Selimin të bëjë për Prishtinën

Çfarë e këshillon Behgjet Pacolli të vëllanë Selimin të bëjë për Prishtinën

03 tetor 2017 20:46

Kandidati i AKR-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka shpalosur platformën e tij qeverisëse për katër vitet e ardhshme, dhe kandidatët për asamblistë për kuvendin komunal të kryeqytetit.

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se Prishtina është e degraduar dhe e ndërtuar pa vizion, andaj duhet një vizion për ndërtimin e saj.

Ai këshilloi Selim Pacollin se nëse dëshiron të lë shenjë si një kryetar i mirë duhet ta zhvendosë objektin  e Universitetit të Prishtinës në një hapësirë më të përshtatshme për studentët.

“Selimi nëse do të lërë shenja se ka qenë kryetar i mirë i Prishtinës duhet ta zhvendosë Universitetin e Prishtinës. Unë kam pyetur si bëhet kjo, ne kemi ardhur në konkludim se Universiteti i Prishtinës mund të spostohet në një vend tjetër duke mos i kushtuar asnjë gjë as buxhetit qendror, as buxhetit të komunës, vetëm duhet të krijohet një konstrukt financiar, i cili është i arsyeshëm”, tha ai.

Ndërkaq, në hapësirën e UP-së Pacolli parasheh ndërtimin e parkingjeve dhe një qendre pa muri, e cila do të jetë pa paragjykime fetare.

Pjesë e programit qeverisës të Selim Pacollit janë edhe autobusët ekologjike, të cilët do ta ruajnë mjedisin e Prishtinës, derisa Behgjet Pacolli u zotua se fondet për këtë çështje nuk mungojnë.

I pari i AKR-së tha se në qeverisjen e Selimit qyteti do të ketë një pamje tjetër duke intervenuar në fasadat e ndërtesave.

Kreu i AKR-së i ka bërë thirrje kandidatit për kryetar të Prishtinës që ta zhvillojë programin e tij për Prishtinën e re pasi që e ka një shans të tillë.

“Zhvilloje programin tënd drejtë Prishtinë së Re, drejt Suteskës, anën e majtë të liqenit të Badovcit me 20 vitet e ardhshme ndërtoje qytetin prej Suteskës deri në Kolovicë dhe fute parkun e Gërmisë në qendër të Prishtinës, dhe do ta kesh parkun më të madh natyror në botë që një qytet mund ta ketë, prandaj bëje Prishtinën të njohur për këtë e ke shansin”, tha ai.

Ndërkaq, pretendenti për të parin e Prishtinës, Selim Pacolli tha se do të qëndrojë besnik ndaj qytetarëve dhe votuesve të Prishtinës duke e implementuar planin qeverisës me përpikëri.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme