Zgjedhjet lokale

Bytyqi: Markete sociale për rastet sociale – mësim tërëditor për t’i liruar fëmijët nga detyrat e shtëpisë dhe çantat e rënda

Shyqiri Bytyqi, kandidat i Nismës për të parin e kryeqytetit, njëherësh ministër i Arsimit, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se gjatë drejtimit të degës së kësaj partie në Prishtinë, për rreth 3 vjet, ka mësuar shumë për funksionimin e Prishtinës.

Thotë se kjo edhe ka qenë arsyeja kryesore që i është dhënë besimi për të kandiduar për kryetar të Komunës së Prishtinës.

“Nisma për Kosovën, për herë të parë garon për zgjedhje lokale në tërë territorin e Kosovës. E njëjta është edhe për Prishtinën. Besoj se kemi ofertë të mirë, një listë goxha të pasur për Kuvend Komunal. Kemi program origjinal, ku dominon fryma social-demokrate që i ka munguar Prishtinës”, ka thënë Bytyqi, raporton Koha.net.

Sipas tij, programi i Nismës për kryeqytetin ndahet në dy pjesë.

“E para, ‘Koha e humbur duhet kompensuar”, dhe e dyta, ‘Zhvillimi i kryeqytetit’. E para ka të bëjë me atë që qytetarët e Prishtinës të mos përballen me problemet me të cilat përballen aktualisht, dhe që ata qytetarë të duan të jetojnë në Prishtinë”, thotë ai, duke potencuar që pastërtia është gjëja kryesore që duhet zgjidhur, dhe “do të zgjidhet shpejt”.

Ai thotë se do të angazhojnë “kujdestarë të lagjeve” që do të kujdesen për lagjet e tyre. Ata do të paguhen.

“Do të bëjmë dyfishimin e të gjitha mundësive për hedhjen e mbeturinave. Me pak investim, secili qytetar është i gatshëm të paguajë 20-30 cent që ta mbajë lagjen e pastër duke i paguar këta kujdestarë”, shtoi ai.

Sa i përket politikave sociale, Bytyqi thotë se qytetarët kanë nevojë për përkrahje sociale.

“Kemi menduar që të krijojmë një market social me produkte të shportës, që do t’i shërbejë të gjithë atyre personave që janë me asistencë sociale. Ata do të kenë mundësi të furnizohen me produkte me çmime më të lira se që janë në treg. Ata identifikohen me kartela”, ka theksuar kandidati i Nismës për të parin e kryeqytetit në Interaktiv.

Ai përmendi edhe pajimin e studentëve me kartela me të cilat do të kenë rreth 30 për qind zbritje për shërbimet publike.

Duke folur për arsimin, Bytyqi tha se “duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të themi se gjendja e arsimit nuk është e mirë”.

“Kur e kemi këtë informatë të saktë, duhet marrë masa për të ndryshuar situatën. Qyteti i Prishtinës duhet të jetë shembull i qyteteve tjera të Kosovës”, tha ai, duke theksuar se pilotimi me mësimin tërëditor është projekt i mirë.

Ai tha se Prishtina ka nevojë për ndërtimin e shkollave të reja për të kaluar në mësimin tërëditor. “Ky sistem i bën nxënësit më social, dhe i liron nga obligimet e detyrave të shtëpisë. E heq edhe problemin e shumë diskutueshëm për heqjen e çantave të rënda me libra”, shtoi ai.

Bytyqi thotë se duhet të depolitizohet sistemi arsimor në Prishtinë.

Duke folur për trafikun në kryeqytet, ai tha se duhet të hapen edhe linja të reja të autobusëve, por kryesorja është ndërtimi i nënkalimeve.

Për shëndetësinë, Bytyqi tha se është bërë punë e mirë me Qendrat e Mjekësisë Familjare, por tha se ka mungesë të kuadrove. Ai tha se duhet të shtohet numri i Shtëpive të Shëndetit.