Zgjedhjet lokale

LDK e Gjilanit raport për javën e parë të fushatës

Lutfi Haziri dhe Shtabi Zgjedhor i Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan kanë mbajtur sot takim me strukturat e partisë, kryetarët e nëndegëve, Forumin e Gruas, Forumin Rinisë dhe kandidatët për këshilltarë komunalë, me qëllim raportimi për javën e parë të punës në terren për zgjedhjet e 22 tetorit.

“Strukturat e LDK-së i kanë konfirmuar kryetarit, Lutfi Haziri, frymën e unitetit dhe punën e jashtëzakonshme në terren me qytetarët, duke thënë se nga më shumë se dy mijë takime që i kanë realizuar derë me derë, me grupe të vogla e grupe të interesit, mbështetja e gjilanasve për LDK-në është më e madhe se në vitin 2013”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Kryetari Lutfi Haziri, pasi falënderoi strukturat e partisë për mbështetjen e madhe, është shprehur se puna në terren duhet të intensifikohet edhe më shumë në mënyrë që fitorja të bëhet edhe më plebishitare se në zgjedhjet e fundit.

“Ju inkurajoj që takimet me qytetarët shtëpi për shtëpi t’i intensifikoni dhe t’ua prezantoni programin tonë në mënyrën më të mirë. Gjilanasit e kanë dëshmuar se gjithmonë janë rreshtuar në anën e drejtë. Nga mijëra takimet që kam realizuar këto ditë, jam impresionuar me mbështetjen e gjilanasve për programin tonë për zhvillim. Edhe kësaj radhe me besim në Zot, familje e atdhe, do të fitojmë me përkrahje të jashtëzakonshme qytetare”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, në ditët në vazhdim, sipas rekomandimeve të Shtabit të Degës, strukturat e LDK-së do të vazhdojnë ta prezantojmë programin qeverisës në të gjitha fshatrat dhe lagje të qytetit.