Zgjedhjet lokale

Faruk Nura i AAK-së premton ndryshime të mëdha në Viti

Kandidati për kryetar të Komunës së Vitisë nga radhët e AAK-së, Faruk Nura, ka kërkuar nga qytetarët që në zgjedhjet e 22 tetorit të votojnë për ndryshime në këtë komunë.

Ai gjatë ditës ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare në Viti, për t’u njoftuar me punën e këtij institucioni, por aty nuk është pritur nga askush nga drejtues të QMKF-së.

Nura është shprehur i zhgënjyer me punën e deritanishme në sektorin shëndetësor.

Ai gjatë ditës ka vizituar edhe lokacionin ku po ndërtohet objekti i ri i Shërbimit të Zjarrfikësve, projekt të cilin e ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm, derisa e ka quajtur të papërshtatshëm vendin ku ky objekt po ndërtohet.

Kandidati i AAK-së për të parin e komunës së Vitisë ka pasur një takim edhe me banorët e ndërtesës së banimit social, të cilëve u ka premtuar kushte më të mira banimi dhe hapësira gjelbëruese në rast se merr mandatin e ardhshëm qeverisës katërvjeçar.

Nura ka vizituar edhe paralelen e ndarë të shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë” në fshatin Drobesh, ku ka parë nga afër kushtet në të cilat ndjekin mësimet nxënësit. Ai me këtë rast akuzoi qeverisjen lokale se nuk ka krijuar kushte adekuate për shkolla, duke mos ofruar furnizim 24 orësh me ujë.