Zgjedhjet lokale

Sadri Balaj në Suharekë: Me Nismën, buxheti nuk do të përdoret për mashtrime

Suhareka ishte komuna e radhës ku Nisma për Kosovën ka hapur fushatën zgjedhore, ku të rinjve të kësaj komunë u është bërë thirrje që t’i bashkohen Nismës për t’iu dhënë një orientim dhe mundësi për të ardhmen.

I pari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk i ftojnë të rinjtë t’i bashkohen Nismës që pastaj pas zgjedhjeve t’iu thonë “mbushni nga një çantë gurë dhe ejani në Prishtinë të gjuani shtetin tuaj”.

“Kosovës nuk i duhet gara se kush po shan më shumë dhe kush po gjuan gurë. Ne kur i thërrasim të rinjtë e Kosovës dhe të Suharekës të bashkohen me Nismën i thërrasim për të ju dhënë një orientim dhe një mundësi për të ardhmen. Ne nuk i thërrasim djemtë dhe vajzat e juaja dhe këta të rinjtë ejani me ne e çka pastaj, pastaj kur të kryhen zgjedhjet cila është oferta, oferta është keni me mbush nga një çantë gurë e me ardhur në Prishtinë e me i mëshuar shtetit tuaj. Jo, kjo nuk është ofertë e së ardhmes, kjo është ofertë e rrënimit. Ne jemi duke ftuar djemtë intelektual, vajzat e djemtë e Suharekës të bashkohen me ne për të marrë përgjegjësi shtetërore, për të marrë përgjegjësi drejtimit të shtetit dhe komunës së tyre”, tha Limaj, raporton KP.

Limaj u tha qytetarëve të Suharekës se iu ofrojnë një mundësi që për herë të parë të kenë një kryetar komune që nuk bënë dallime partiake dhe një kryetar që përfaqëson të gjitha grupet, shtresat e kësaj komunë.

Kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës, Sadri Balaj, premtoi se do të jetë kryetar i të gjithë banorëve të kësaj komune, pa dallime partiake.

Ai po ashtu premtoi se buxheti i komunës gjatë qeverisjes së tij nuk do të përdoret për mashtrime elektorale.

“Me Nismën në krye të qeverisë komunale unë do të bëj që strukturat e urbanizimit të kenë një kujdes të veçantë, me neve buxheti nuk do të përdoret për mashtrime elektorale sikur bën qeverisja aktuale. Kjo qeveri punon vetëm gjatë fushatës zgjedhore lokale dhe ky është mashtrim dhe punë jo cilësore. Në komunën tonë ekziston një plan rregullativ urbanistik, por ai nuk është duke u respektuar aspak. Ne do të ndërtojmë dhe nuk do të lejojmë që ky plan të mos respektohet. Do të shtojmë investimet në infrastrukturën rrugore në të gjithë territorin e komunës, duke mundësuar lidhje dhe qasje më të lehtë për të gjithë qytetarët e tanë. Do të bëjmë investime të vazhdueshme në sigurimin e ujit të pijshëm për të gjithë vendbanimet e komunës tonë, në bashkëpunim me kompanitë menaxhuese të ujësjellësit”, tha Balaj.

Po ashtu, pretendenti për kryetar të Komunës së Suharekës, Sadri Balaj, tha se fokus i qeverisjes së tij do të jetë arsimi dhe shëndetësia.

Me këtë rast, Nisma për Kosovën ka prezantuar edhe kandidatët e saj për asamble komunale të Suharekës.