Zgjedhjet lokale

Muzaqi: Vushtrria e gatshme për ndryshim, numri 10 është numri shpresës

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Besim Muzaqi, ka thënë në tubimin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë se Vushtrria pas çlirimit është duke vuajtur nga keqqeverisja prej atyre që nuk duan barazi e mirëqenie. Mirëpo, ai u zotua se me qeverisjen e tij kjo do të marrë fund.

Muzaqi ka thënë se ndryshimi nuk mund të ndodhë me ata që janë fajtorë për gjendjen e rëndë në Vushtrri, e as me ata të cilët nuk guxuan të ballafaqohen me të keqen.

“Ne do të ndërtojmë çerdhe për fëmijët tanë në qytet e fshatra. Prindërit duhet të bëhen pjesëmarrës aktiv në shkollim të fëmijëve. Ne do t’i sigurojmë secilës shkollë laboratore për kimi, fizikë, biologji dhe kënde leximi e libra të mjaftueshëm”, është zotuar Muzaqi para vushtrriasve.

Ai është zotuar po ashtu për trefishimin e numrave të bursave për studentë, funksionalizimin e qendrave të mjekësisë familjare dhe subvencionimin e bujqve, kurse për qendrën e vjetër të qytetit ka thënë se do të konservohet dhe rimodelohet gjatë qeverisjes së tij.

“Subvencionimi i ndershëm i klubeve sportive dhe i klubit të tifozëve Forca, është jetik për rezultate dhe atmosferë sportive. Arti dhe kultura janë vlerat më të bukura të Vushtrrisë. Ato do ta kenë vendin në prioritetet e buxhetit tonë, ne do ta rrisim ndikimin e komunës në këto fusha duke e rritur buxhetin për to dhe duke hequr ndikimin politik”, ka shtuar më tej.

E, për gjitha këto, Muzaqi ka thënë se do të realizohen me ekipin e fitores, duke prezantuar kandidatët për kuvendin komunal.

Të gjitha këto dhe jo vetëm mund të realizohen duke përkrahur edhe ekipin e fitores të cilën kam nderin ta prezantoi para jush. Ai ka ftuar që me 22 Tetor të votojnë për numrin 10, duke e quajtur numrin e ndryshimit.

Në tubimin e mbajtur në Vushtrri nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti ka thënë se Vushtrria duhet ta ndërrojë udhëheqjen të cilën e ka quajtur “shumë të padrejtë”.

Ai ka thënë se mundësia për ta bërë këtë është 22 Tetori, duke votuar Besim Muzaqin për kryetar të komunës.

“Me Besimin, Vushtrrisë ia sjellim arsimin, punësimin, zhvillimin e përparimin”, ka thënë Kurti në Vushtrri, duke thënë tutje se me qeverisjen e VV-së qytetarit të Vushtrrisë do t’i kthehet puna e komunës së Vushtrrisë nderi.

“Këta të tjerët kanë premtime të rrejshme pa program, ne kemi program me zotime të vërteta që këtu në Vushtrri i garanton Lëvizja si organizatë, Besimi si kryetar, e këta kandidatë si këshilltarë. Votojeni 10-shin si numër dhe kurrë nuk do të jeni të humbur”, ishte porosia e Kurtit për vushtrriasit.

Kurse, kandidatin për kryetar të Vushtrrisë, Kurti e quajti punëtor të madh, aktivist modest e menaxher të mirë, ndaj tha se ai e meriton të jetë kryetar i Vushtrrisë.

Në tubimin zgjedhor në këtë komunë, Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ka thënë se Vushtrria si qyteti më i vjetër në shtetin tonë, ka rëndësi të jashtëzakonshme historike e kulturore.

“Viciana për shekuj me radhë ka qenë qyteti më i madh në Kosovë, por ka qenë edhe qendra kryesore në Ballkan. Ky qytet ka vlera të rralla kulturore, por është qeverisur nga zullumqarë pa vlerë që edhe Urën e Gurit deshën ta bëjnë restorant. Ky qytet ka vlera të mëdha historike, por është sunduar nga njerëz që nuk e kanë kuptuar as mësimin bazik të historisë. Ata nuk e kanë kuptuar se kush flet për historinë në veten e pare gjithmonë ka përfunduar në koshin e historisë. Kur flitet për historinë flitet për popullin, jo për vete. E ata që punojnë për popullin, nuk flasin për vete”, ka thënë Ymeri në Vushtrri.

Ai ka premtuar se Vushtrria do të pastrohet nga ujërat e zeza, por paraprakisht kjo komunë do të pastrohet nga korrupsioni. Si dhe ka përmendur mungesën e ujit të pijshëm nëpër shumë fshatra, duke u zotuar se me qeverisjen e VV-së, ky problem do të marrë fund.

“Vushtrria nuk ka ujë të bollshëm, prandaj qytetarët e saj janë të etur për ndryshime. Vushtrria do të ketë ujë kur nuk do të rrjedhin paratë tuaja për çezmën e korrupsionit. Me 22 tetor do ta shuajmë etjen duke ua ndalur atyre çezmën. Paratë e vjedhura nga krimi e korrupsioni për vite me radhë janë pastruar në sektorin e ndërtimit në Prishtinë. Prandaj kemi aq shumë banesa boshe, por prapë çmimet janë të larta. Por, pas fitores së Vetëvendosjes, ndërtimet pa leje i kemi ndaluar, kurse mafisë së ndërtimit ia kemi prishur skrofullën”, është zotuar kryetari i VV-së në Vushtrri.

Ymeri ka thënë se ai edhe duke mos qenë banor i kësaj komune, është në dijeni se kjo komunë i ka tre kryetarë e jo një, duke përmendur Bajram Mulakun, Sami Lushtakun e Gani Imerin, por ka premtuar se me qeverisjen e Besim Muzaqit do të shporren klanet dhe matrapazët që e kanë degraduar këtë komunë.

“Deri tash Vushtrria e ka parë Lëvizjen si aksion e si protestë, pas 22 tetorit do ta shohë si qeverisje. Para 22 tetorit e ka parë duke e luftuar të keqen; pas 22 tetorit do ta shoh duke e bërë të mirën. Para 22 tetorit Vushtrria e ka pare Lëvizjen duke i kundërshtuar të pabërat; pas 22 tetorit do ta shohë duke i bërë gjërat. Pas 22 tetorit Vushtrria do ta shoh Besim Muzaqin bashkë me Lëvizjen në qeverisje, në shërbim të qytetarëve. Do të ketë ndryshime aq të mëdha, do të thuhet Vushtrria para 22 tetorit dhe Vushtrria pas 22 tetorit. Prandaj të dashur miq, 22 tetori për Vushtrrinë do të jetë një vit i ri të cilin dua t’ua uroj qysh tash”, ka thënë po ashtu Visar Ymeri, duke bërë thirrje që të votohet Besim Muzaqi, për të cilin ka thënë se e ka përkushtimin e guximin, vullnetin e dijen, vendosmërinë e urtësinë, për ta qeverisur Vushtrrinë.