Banorët e Rracajve e Brekocit të bindur se Kusari-Lila do të mbetet kryetare e Gjakovës

Banorët e Rracajve e Brekocit të bindur se Kusari-Lila do të mbetet kryetare e Gjakovës

02 tetor 2017 14:41

Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, paraditën e sotme ka qëndruar në fshatrat Rracaj dhe Brekoc, ku është pritur me entuziazëm nga banorët e këtyre lokaliteteve.

Fillimisht ajo ka vizituar vendet ku aktualisht janë duke u realizuar projektet me rëndësi të veçantë për këto lokalitete, siç është ura në fshatin Rracaj dhe rruga në lagjen Muçaj në Brekoc.

Me këtë rast ajo u shpreh e kënaqur me investimet që po bëhen para përmbylljes së mandatit të dytë. “Jam shumë e lumtur që ende pa u përmbyll si duhet mandati katërvjeçar, kanë filluar edhe këto projekte të rëndësishme për banorët. Ka pasur shumë kërkesa në Komunën e Gjakovës për ndërtimin e urave dhe pas ndarjes së buxhetit kemi filluar menjëherë me ndërtimin e njërës nga urat më me prioritet siç është ura në fshatin Rracaj, e që për vitin 2018 tashmë është ndarë buxheti edhe për ndërtimin e rrugës në gjatësi prej 1 km”, tha ndër të tjera z-nja Kusari Lila.

Ajo është pritur nga një numër i madh i banorëve të fshatit Brekoc. Fillimisht ajo ka vizituar rruga e lagjes Muçaj ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e rrugës në vlerën prej 173 mijë euro.

“Përmes këtij projekti po ndikojmë në një pjesë shumë të frekuentuar të fshatit Brekoc dhe po mundohemi që sa më parë të përmbyllim nevojat bazike të qytetarëve të Komunës së Gjakovës. Jam shumë e nderuar për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që keni dhënë gjatë mandatit tim të parë, por edhe gatishmërinë për të ma besuar udhëheqjen e Komunës së Gjakovës edhe për katër vite tjera”, tha ajo.

Nga ana tjetër banorët e fshatrave Rracaj dhe Brekoc kanë shprehur mirënjohjen për gjithpërfshirjen e investimeve në rajone gjatë qeverisjes së saj, si dhe kanë shfaqur bindjen në fitoren e sigurt edhe për katër vite të tjera.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme