PDK thotë se do të zhvillojnë ekonominë e Prizrenit

PDK thotë se do të zhvillojnë ekonominë e Prizrenit

01 tetor 2017 20:50

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë para qindra qytetarëve në lagjet Ortakoll dhe Tabakhane se Komuna e Prizrenit i ka besuar dhe i beson vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës, sepse është forca e vetme që ka sjellë ndryshime të mëdha.

Kreu i PDK-së ka thënë se Shaqir Totaj është menaxheri dhe kandidati më i mirë për të zhvilluar ekonominë e Prizrenit.

Veseli theksoi se programi i PDK-së dhe kryetari i ri, Shaqir Totaj, do të hapin perspektivë të re për Prizrenin, duke investuar e punuar për një zhvillim më të madh ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës. Gjithashtu, Veseli tha se me PDK-në në katër vjetët e ardhshme, Prizreni do të bëhet qyteti më i rëndësishëm jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë ekonomik dhe institucional.

“PDK-ja është adresa e sigurt për Prizrenin. Është forca që sjellë ndryshimet dhe vendimet e mëdha. PDK-ja është thellësisht e përkushtuar që ky qytet të zhvillohet edhe më shumë dhe këtë e kemi dëshmuar me investimet që kemi bërë. Ne jemi gjithmonë përulës për besimin që na e kanë dhënë qytetarët e Prizrenit, por gjithmonë duke punuar që ky besim të kthehet në punë dhe zhvillim”, ka thënë kryetari Veseli, duke theksuar se Shaqir Totaj do të punojë drejtpërdrejt me qytetarin, me një qeverisje transparente dhe me integritet.

Kandidati për Kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, duke shpalosur programin para qytetarëve, theksoi se zhvillimi ekonomik është shtylla e angazhimit në katër vjetët e ardhshme, por edhe me një fokus të lartë në ruajtjen e trashëgimisë, rritjen e turizmit, promovimin e sportit dhe kulturës.

“Ne do të kemi mbështetjen e plotë nga kryetari Veseli dhe Qeveria e Kosovës, sepse do të punojmë shumë dhe ndershëm për ta zhvilluar ekonominë e Prizrenit dhe për të hapur perspektivë për vende të reja të punës", ka thënë Totaj.

Pas lagjeve Ortakoll dhe Tabakhane, Veseli e Totaj janë pritur nga qindra qytetarë të fshatrave të rajonit të Hasit, ku edhe para tyre shpalosën platformën qeverisëse të Partisë Demokratike të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme