Ahmeti, Krasniqi e Hoxha në Mramor – prezantojnë 100 pikat e 4 vjetëve të ardhshme

Ahmeti, Krasniqi e Hoxha në Mramor – prezantojnë 100 pikat e 4 vjetëve të ardhshme

01 tetor 2017 20:43

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë mbajti sot tubim në fshatin Mramor, ku u fol për sukseset e qeverisjes në Prishtinë dhe për punët që e presin në mandatin e radhës.

Deputeti Frashër Krasniqi tha para të pranishmëve se subjektet tjera politike janë bërë bashkë, jo për ta fituar Prishtinën, sepse e dinë që nuk munden, por për të mos lejuar shembullin e Prishtinës edhe në komunat tjera.

“Sulmet e tyre ndaj qeverisjes sonë në Prishtinë bëhen për shkak se duan t’i ruajnë komunat tjera me të cilat qeverisin. Nuk duan që shembulli i mirë i Prishtinës të shpërndahet edhe në Komunat tjera. Frika e tyre është kjo. Dhe është frikë e bazuar, për shkak se Vetëvendosje pas këtyre zgjedhjeve lokale do të udhëheqë jo vetëm me Prishtinën, por edhe me shumë komuna të tjera”, tha Krasniqi.

Kryetari i Qendrës së VV-së në Prishtinë, Yll Hoxha, tha se në Prishtinë kemi ngritur nivelin e qeverisjes dhe ua kemi bërë të qartë qytetarëve se si qeverisë Lëvizja e si qeverisin subjektet tjera.

“Bëmë 12 zotime, prej të cilave 11 i realizuam, kurse të fundit na e bllokuan në Kuvend Komunal. Bllokada të tilla nuk duhet të lejojmë më. Bllokadat e tilla i bëjmë të pamundura me fitoren e Vetëvendosjes edhe për Kuvend Komunal. Ne jemi ata që japim zotime të cilat e dimë saktë se mund t’i realizojmë, dhe dalim faqebardhë para qytetarëve. Nuk japim premtime megallomane si të tjerët, sa për të marrë votë sot, e për t’u turpëruar nesër”, u shpreh Yll Hoxha.

Kryetari Shpend Ahmeti prezantoi programin qeverisës për mandatin e radhës, me 100 zotimet.

“Programi ‘Prishtina, qytet në çdo lagje’, ka për qëllim që t’iu ofrojë shërbime të barabarta të gjithë qytetarëve brenda komunës, pavarësisht në cilin fshat e në cilën lagje jetojnë ata. Prioritetet po i caktojmë së bashku, në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët. Që ta realizojmë plotësisht programin tonë, na duhet mbështetja në Kuvend Komunal. Prandaj, përveç mua si Kryetar i Komunës, ju duhet ta zgjedhin njërin nga lista jonë për Kuvend Komunal”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme