LDK premton zhvillim ekonomik dhe zhvillim të bujqësisë në Deçan

LDK premton zhvillim ekonomik dhe zhvillim të bujqësisë në Deçan

01 tetor 2017 18:37

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot pasdite takim elektoral në Deçan me simpatizantë, ku prezantoi kandidatin për kryetar Malë Lokaj dhe shpalosi programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, që parasheh zhvillimin ekonomik, zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa me këtë rast tha se ka ardhur koha që Deçanin ta drejtojë Lidhja Demokratike e Kosovës me një shembull të mirë të qeverisje, ngase sipas tij Malë Lokaj është njeri i ndërgjegjshëm i kësaj komune, transmeton ksp.

Ai tha se si LDK do të bëjnë shumë që përmes pushtetit lokal dhe pastaj edhe pushtetit qendror të punohet në proceset e integrimit, në mënyrë që Kosova të mos jetë vend i izoluar, por të integrohet në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se ky është projekti i qeverisjes, edhe pa korrupsion.

“Unë iu thash edhe dje në Junik se ne nuk mund të premtojmë para qytetarëve tanë se ne do ti zgjidhim problemet e qytetarëve për katër vjet, sepse edhe në qoftë se themi atë, unë e di se ju nuk do ta merrni seriozisht, sepse për katër vjet nuk zgjidhen të gjitha problemet. Por, ajo që mund të them është se do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i zgjidhim bashkërisht të gjitha ato probleme që ju konsideroni se janë probleme të para që ju ballafaqoheni më së shumti në këtë periudhë e që janë problemet zhvillimore, sepse kemi nevojë të zhvillohemi, kemi nevojë të punësohemi dhe kemi nevojë të krijojmë kushte që të rinjtë dhe fëmijët tanë të mos shkojnë jashtë, por të qëndrojnë këtu dhe ta rregullojnë mirëqenien e tyre”, tha Mustafa.

Kandidati për kryetar Malë Lokaj tha se me këtë barrë mbi supe po i hyn kësaj sfide të radhës, zgjedhjeve lokale të 22 tetorit me shpresën reale se të gjithë së bashku, sinqert dhe në bashkëpunim do t’ia dalin mbanë. Lokaj premtoi investime të mëdha në bujqësi si dhe në turizëm.

“Zhvillimi ekonomik, bujqësia, përmes sektorit të bujqësisë do të punojmë fuqishëm së bashku për të ringjallur bujqësinë në regjionin e Deçanit. Ne do të fokusohemi në subvencionimin e fermerëve, do të ndërtohen së paku dy qendra grumbullimi dhe tregtim të prodhimeve bujqësore. Po ashtu komuna do të bashkfinancojë 200 mijë euro për çdo vit në këtë lëmi(bujqësore). Fuqishëm do të rritet prodhimi i pemëve të imëta, siç janë boronica, mjedra, manaferra dhe dredhëzat”, tha Lokaj.

Ai tha se kujdes do t’i kushtohet edhe bletarisë, blegtorisë, turizmit. Lokaj premtoi edhe një Qendër Skijimi në bjeshkët e Strellcit, Isniqit, Belegut, Prelepit, Deçanit dhe Vokshit, si dhe përkrahje e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ndërsa, Jeton Mushkolaj kryetar i LDK në Deçan tha se për ta ndaluar keqqeverisjen dhe keq menaxhimin e financave publike, kërkoi nga qytetarët e Deçanit ta votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kandidatin e saj Malë Lokaj.

“Këtij pushteti pesëmbëdhjetë vjeçar buxheti i komunës është shndërruar në një kuletë të shqyer partiake dhe militante gjersa hallet dhe problemet tuaja kanë mbetur në të njëjtin vend, ato janë rritur në vazhdimësi. Andaj, ju ftoj që më 22 tetor të votojmë LDK-në dhe t’i ndalim këto probleme që ju mundeni t’i keni”, tha Mushkolaj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme