Haradinaj në Pejë, në fushatën e AAK-së premton mbështetjen e Qeverisë

Haradinaj në Pejë, në fushatën e AAK-së premton mbështetjen e Qeverisë

01 tetor 2017 16:20

Qeveria e Kosovës do t’i ndërtojë 7 stadiume në tërë vendin. Këtë lajm e ka bërë të ditur kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë prezantimit të programit të AAK-së, për sportin nga kandidati për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi.

I ftuar special ishte edhe Driton Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, i cili tha se është apolitik por që e mbështet vizionin e kryeministrit Haradinaj.

“Dua publikisht t’iu përshëndes dhe publikisht ta uroj kryeministrin e ri, sepse nuk kam pas rast deri tash. Kam besuar gjithmonë në vizionin e kryeministrit Haradinaj edhe pse unë jam apolitik... Sa i përket sportit, niveli qendror është dukshëm më mirë se niveli lokal. Atje janë rregulluar shumë gjëra të cilat i përkasin sportit, në përkrahje të sportisteve cilësorë, shpërblime, e të tjera. Ka edhe disa gjëra të cilat po çaloj, po besoj që me Qeverinë e re këto do të shtyhen përpara. Sidomos për ligjin për sponsorizime, i cili ka mbet në gjysmë shpresoj që ky do të shtyhet tutje, edhe pse në Kuvend ka kaluar po diku ka ngec. Ndërsa në nivelin lokal me të vërtetë jo vetëm në qytetin e Pejës po në gjitha qytetet, jo vetëm për këto katër vite po mund të themi me plot gojë që, problemi i sportit qëndron qysh pas luftës. Është mirë që e kemi kryeministrin këtu edhe është mirë për ne edhe është fat që ajo që duhet ta ndërtojmë është një kod i veçantë buxhetor ne mënyrë që edhe sporti ta ketë linjën e veçantë buxhetore”, tha Kuka.

Ai po ashtu tha se është mirë që shteti të ndihmojë sportistët për arsye se ata mund të ikin nga Kosova.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi, ka premtuar investime në infrastrukturën sportive duke thënë se Peja gjithnjë ka qenë qytet i sportit por që sot nuk e ka asnjërën.

“Unë si kryetar për katër vjet të ardhshëm do të shkoj në ndërtimin e infrastrukturës sportive e cila për katër vjet edhe më parë është degraduar. Ne nuk kemi një palestër sportive në të cilën nuk mund të garojnë garat ndërkombëtare. Do të kemi investime në palestrën Karagaç në parket, elektronikë dhe do të harmonizohet me standardet të cilat i kërkojnë organizatat ndërkombëtare të sportit... Stadiumi i qytetit ‘Shahin Haxhislami’, disa herë është tentuar të rinovohet, së fundmi e keni parë një gërmadhë janë rrënuar tribuna dhe nuk është ndërtuar. Stadiumi do të ndërtohet sipas standardeve që kërkon UEFA”, tha Gashi.

Gashi po ashtu është zotuar se të vetmit klub “Penza” që janë garuese femrat në hendboll do të zhvillojë dhe subvencionojë, ndërsa premtoi mbështetje edhe për klubin e Atletikës, për të cilën pati kritika që askush nuk po merret me ata. Ai po ashtu ka thënë se politika nuk do të merret me sportin dhe të shihen si vota siç po ndodh por e kundërta ai sportin do ta lë në duar të sportistëve të cilët sipas tij ka mjaftë në qytetin e Pejës.

I kënaqur me prezantimin e programit mbeti lideri i kësaj parie dhe njëherësh kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili tha të gjitha këto premtime duhet t’i mbahen mend Gashit dhe mos t’i harrohen.

“Se si e tregoj kryetari Fatmiri, unë stërvitjet do të vij t'i bëj në Pejë. Ju e keni një fat të madh se nuk e keni Obiliqin shumë afër, por bjeshkët, grykën e Rugovës e mushkëritë i keni në kapacitet më të mirë se gjithkush. Por me këto që i tha kryetari, kryetar e dinë si kemi biseduar pastaj do t'i mbajmë fjalët. Sportistët e Kosovës i kam përjetuar prej dy perspektivave. Një duke qenë këtu duke i parë, dy kur isha jashtë. Sa isha jashtë i shifsha kushtet si i kanë atje si stërviten. A besoni gjithmonë mendja më rrinte tek kushtet tona se si bëhet sporti tek ne, çfarë vullneti i madh e pa asgjë. Këto dy perspektiva nuk më len rehat fakti që ka mundësi sot potencial tek fëmijët tanë, tek të rinjtë tek sportistët, e sa keq i kanë mundësitë. Nuk mundem me u pajtu me ketë. Për me e vërtetua këtë dhe që kemi mundësi prej nesh me dal arti në sport e falënderoj Tonin që me çfarë lufte është dashtë me shpërthye këtë gjendje”, tha Haradinaj.

Kryeministri ka dhënë një lajm të mirë për gjithë sportistët në Kosovë, ku treguar se në Kosovë do të ndërtohen 7 stadiume. Ai ka thënë se ndërtimi i tyre do të bëhet nga mjetet e IPAS-së, ku Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje për këto mjetet.

“Kemi nënshkruar disa marrëveshje disa kredi të tilla shumë të lehta të IPA. Në këtë frymë unë e kam dizajnuar në kokën time 7 stadiume të tjera olimpike po që janë edhe për atletikë. Pra stadiumet nuk janë vetëm për futboll po janë të kompletuara edhe për sporte të tjera. Kuptohet një do ta ketë Peja. Shifra e ndërtimit të tyre është bukur e lartë. Po nuk është shumë e lartë qoftë edhe hiq pa para të huaja, është e mundshme edhe prej Kosovës të sigurohen”, tha Haradinaj.

Haradinaj sot ka qëndruar edhe në Prizren ku ka hapur fushatën zgjedhore ndërsa një varg takimet do t’i mbajë në Pejë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme