Surdulli në Kamenicë u premton të rinjve bursa dhe pagesa për punën praktike

Surdulli në Kamenicë u premton të rinjve bursa dhe pagesa për punën praktike

01 tetor 2017 16:15

Shaip Surdulli kandidat për kryetar të komunës së Kamenicës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të dielën ka mbajtur një takim me të rinjtë e kësaj komune me ç’rast është zotuar se do të punojë në implementimin e programit që ka të bëjë me mbështetjen e të rinjve nëse ai do të zgjedhet si kreu i komunës.

Ai ka deklaruar se në mandatin e tij do të ketë bursa për studentë si dhe do të ndajë buxhet dhe do të bëjë pagesën e punës praktike për të rinjtë.

“Gjatë mandatit të ardhshëm kemi një program i cili është ekskluzivisht për rininë, i cili është për qytetarët tanë për një jetë më të mirë. Do të keni një përkujdesje më të mirë për studime për shkolla për punësim dhe programi jonë ka disa pika. Bursa për studentë do të ketë që fatkeqësisht nuk ka pasur qe tri vite. Një buxhet i madh do të destinohet edhe për punën praktike me pagesë për 6 muaj qoftë për sektorin privat qoftë për sektorin publik”, ka thënë Surdulli i cili ka përmendur edhe përkrahjen për sportin dhe shoqëritë kulturore por edhe zhvillimin ekonomik.

“Ne do t’i riaktivizojmë edhe klubet sportive që fatkeqësisht janë shuar në këtë mandat. Do t’i ndihmojmë të gjitha klubet sportive edhe atyre të futbollit që janë në ligën e parë dhe do t’i ndihmojmë shoqëritë kulturore dhe do të punojmë edhe do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë zhvillimit ekonomik që është problemi kryesor i rinisë”, ka potencuar ai raporton Koha Ditore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme